Futboll

Dinamo po rikthehet …


Dinamo, ekipi i dytë më i trofeshëm me kampionate në Shqipëri, me 18 të tillë, pas Tiranës me 25 trofe, këtë vit po ecën me hap kampioni dhe duket se së shpejti elitës së futbollit shqiptar do t’i rikthehet një nga ekipet më emblematike të Superligës, por edhe tifozëve do u rikthehen derbet midis Tiranës dhe Dinamos, si dhe Partizanit dhe Dinamos.

Blutë e kryeqytetit, pas vitesh të tëra në Kategorinë e Parë, madje disa kohë rrezikuan edhe rënien në Kategorinë e Dytë, duken me një fytyrë krejtësisht ndryshe këtë sezon, sidomos pas ndërrimit të presidencës dhe kalimit të ekipit në dorën e italianit, Marco Pontrelli.

Pontrelli, pasi bleu emrin dhe logon e ekipit, nga ish-presidenti, Besnik Sulaj, të vetmet gjëra që i ngelën Dinamos, pas marrjes së aseteve të klubit, shtoi numrin e italianëve në radhët e dinamovitëve, duke filluar që nga stafi teknik e deri te lojtarët. Dhe siç duket ka dhënë produktivitetin e saj.

Në tetë ndeshjet e para të këtij sezoni, blutë kanë arritur të marrin gjashtë fitore dhe dy barazime. Me 12 gola të shënuar dhe me vetëm një të pësuar, Dinamo është në krye të Grupit A, të Kategorisë së Parë, me 20 pikë, katër pikë më shumë se Burreli i vendit të dytë.

Gjithashtu, Dinamo këtë vit ka një ecuri pozitive edhe në Kupën e Shqipërisë, pasi mundi Flamurtarin, arriti të mposhtë edhe Bylisin, duke u kualifikuar për në raundin e 1/8./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore