Rajoni

Dimri i vështirë ballkanik i emigrantëve të refuzuar nga Italia


Azilkërkuesit përballen me të ftohtin ballkanik

Në dorë, mbajnë një shkop gome. Janë duke thyer gjunjë, duke fshikulluar shpina dhe duke shënjestruar në kokë me gurë refugjatët. Janë ushtarët kroatë!

Nuk është për shkak të të ftohtit ballkanik që ata veshin kapuça, të cilët i mbulojnë dhe fytyrën. Kjo tufë burrash, është aty për t’i zënë pritë refugjatëve.

Nëse më parë, gjithçka ishte e hamendësuar, tashmë kemi prova konkrete. Një video e hedhur online, tregon brutalitetin me të cilin ushtarët kroatë godasin refugjatët që janë refuzuar të kalojnë në Itali. Këtë herë, Zagrebi zyrtar, nuk mund të replikojë se nuk ka prova mbi fjalët që qarkullojnë.

Pamjet e videos janë të rënda dhe nuk këshillohet të shihen nga fëmijët.

Grupe avokatore ndërkombëtare, kanë pohuar se praktika informale janë përdorur, të cilat thyejnë rregullat e Italisë, Bashkimit Evropian dhe ligjeve ndërkombëtare. Të paktën një gjykatë në Romë, ka rënë dakord me këtë fakt.

Disa prej azilkërkuesve, kanë udhëtuar me muaj maleve të Ballkanit për të arritur kufirin italian. Ndër ta, një 27 vjeçar pakistanez, shpenzoi 18 muaj për të arritur kufirin italian. Pesë, ishin sekondat, të cilat iu lanë në dispozicion për t’u kthyer nga kishte ardhur. “Më çuan në një kodër dhe numërimi mbrapsht filloi”, kujton refugjati i ri.

Sllovenia, ishte vendi i radhës që e dorëzoi tek autoritetet kroate. Gjithçka e priste aty, ishin shkopat e gomës dhe një rrahje barbare çnjerëzore. I prangosur dhe i mbështjellë me tel me gjemba, ai u depërtua për në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kjo është një shkelje e pastër e marrëveshjes së Dublinit. Ky pakt, specifikon se vendi i parë brenda unionit, në të cilin një emigrant shkel, duhet t’i garantojë këtij të fundit të drejtën për të kërkuar azil.

Si djali pakistanez, janë të paktën 1 mijë e 300 të tjerë, të cilët janë kthyer mbrapsht nga Italia. Burra, gra, fëmijë, të mbështjellë me një batanije në rastin më të mirë, në atë që tashmë quhet, rruga ballkanike.

Pse po keqtrajtohen azilkërkuesit?

Viti 2020, pa një rritje të numrit të emigrantëve të cilët u kthyen mbrapsht nga qeveria italiane. Qëndrimi kryesor i autoriteteve, ishte ai i rrezikut të përhapjes së Covid-19. Gjithsesi, u vu re dhe ndjekja e një linje shumë të fortë evropiane kundër emigrantëve.

Kjo qasje, vjen edhe për shkak se vendet bregdetare evropiane, të cilat kanë më pranë shtetet afrikane dhe të lindjes së mesme, kanë një valë shumë të madhe refugjatësh prej vitesh. Kështu, Bashkimi Evropian, ka kërkuar ndihmën e palëve të treta në këtë çështje.

Shteteve si Turqia apo Libia, u është kërkuar të ndajnë peshën e azilkërkuesve. Por, fakti është, se Turqia nuk i është përgjigjur thirrjes. Libia ndërkohë, i ka kampet në kushte të mjerueshme.

Ndaj, vendet brenda unionit, të cilat përballen me këtë fluks, “detyrohen” të kenë këtë sjellje karshi refugjatëve.

Kjo e fundit, ka ngritur në këmbë disa organizata humanitare. Shumë e kanë dënuar sjelljen e autoriteteve. Mbi të gjitha, atë të policisë dhe ushtrisë kroate, tashmë të pasqyruar në video.

Detyrimi i Kroacisë për të pranuar emigrantët dhe për të respektuar marrëveshjen e Dublinit, është shkelja më e rëndë në këtë çështje. Italia dhe Sllovenia, arrijnë të justifikohen me faktin se azilkërkuesit, kanë shkelur së pari në Kroaci, ndaj nuk kanë detyrim t’i përgjigjen kërkesave të tyre.

Shqetësimi më thelbësor i çastit gjithsesi, mbetet siguria dhe mirëqenia e emigrantëve, të mbetur rrugëve të ftohta të Ballkanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore