Lajme

Dilema për zgjedhjen e presidentit: 80 deputetë në sallë apo 80 vota në kuti?


Ilustrim: Kutia e votimit

Dilema të mëdha janë ngritur në publik sa i përket procedurës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. E diskutueshme është nëse duhet të ketë prezencë prej 80 deputetëve në sallë apo votë të 80 deputetëve në kuti.

Referuar praktikës së mëhershme, për të nisur seancën prezent në sallë duhet që të jenë të paktën 80 deputetë, nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që të ketë kuorum për nisjen e seancës.

Kështu mendon edhe Albert Krasniqi, drejtor i programeve në organizatën Demokracia Plus, e cila monitoron punën e Kuvendit të Kosovës.

“Fillimisht, duhet me qenë 80 deputetë në sallë për me nis seancën”, thotë ai për Albanian Post.

Të njejtin mendim e ndanë edhe avokati Kushtrim Palushi.

“Duhet të jenë 80 deputetë prezent”, thotë ai.

Më 26 shkurt 2016, kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur president, në hapje të seancës të pranishëm në sallë kishin qenë 104 deputetë.

Ky është kushti i parë i cili duhet të plotësohet për të vazhduar me hapat tjerë për zgjedhjen e shefit të shtetit.

Por, sa vota duhet të jenë në kuti kur të votohet presidenti?

Duke ju referuar praktikës së mëhershme, më saktë zgjedhjes së presidentit më 2016, në kutinë e votimit në raundin e parë dhe të dytë duhet të jenë të paktën 80 vota ose 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Marrje pjesë në votim, sipas praktikës së mëhershme, nënkupton votë në kutinë e votimit.

“Për t’u konsumuar raundi i parë dhe i dytë, duhet me qenë të paktën 80 vota në kuti te votimit”, thotë Albert Krasniqi.

Por, me këtë konstatim nuk pajtohet avokati Kushtrim Palushi.

“Duhet me qenë në sallë, ata që nuk votojnë në kuti duhet me u njehë si abstenim”, pohon ai.

Nëse kthehemi pesë vjet më herët, kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur president, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para votimit kishte treguar formën e votimit.

“Në votimin e parë duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse në votim marrin pjesë më pak se 80 deputetë konsiderohet se nuk ka kuorum për vendimmarrje, prandaj duhet të përsëritet votimi i parë. Nëse në votimin e parë asnjë kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, të paktën 80 vota për, organizohet votimi i dytë”, kishte lexuar ai në seancën e 26 shkurtit.

E njejta vlenë dhe për raundin e dytë.

“Në votimin e dytë duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse në votim marrin pjesë më pak se 80 deputetë konsiderohet se nuk ka kuorum për vendimmarrje, prandaj duhet të përsëritet votimi i dytë. Nëse në votimin e dytë asnjë kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, të paktën 80 vota për, organizohet votimi i tretë”.

Nëse këto dy raunde kalohen si të suksesshme, për raundin e tretë duhet votë prej minimalisht 61 deputetësh.

“Në votimin e tretë duhet të marrin pjesë të paktën 61 deputetë. Nëse në votim marrin pjesë më pak se 61 deputetë konsiderohet se nuk ka kuorum për vendimmarrje, prandaj duhet të përsëritet votimi i tretë Nëse në votimin tretë asnjëri kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, të paktën 61 për shpërndahet kuvendit dhe vendi shkon në zgjedhje e reja që duhet të mbahen brenda 45 ditësh”.

Procedura për zgjedhjen e presidentit të vendit përcaktohet me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Mandati i presidentit është pesë vjeçar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore