Kosova

Dikur “assesi”, sot “patjetër”, Spanja do të jetë prezente në takimet ku është Kosova


Presidenti i Spanjës, Pedro Sánchez

Pas vendosjes së vetos për simbolet shtetërore të Shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës në Samitin BE-BP në Slloveni, ku megjithatë Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, mori pjesë, ky i fundit prezencën e Spanjës e justifikoi si “të domosdoshme”.

Përkundër mos-njohjes së shtetësisë së Kosovës, dhe refuzimeve të kamotshme të Spanjës të participojë në forume ku merr pjesë edhe Kosova, kryeministri spanjoll deklaroi se tani “Spanja duhet të merr pjesë në të gjitha forumet”.

Kështu bën të ditur gazeta spanjolle El Mundo.

Ndërsa brenda spektrit politik spanjoll kanë shpërthyer akuza të mëdha ndaj shefit të ekzekutivit të Spanjës, për, siç shkruajnë ata, “shkëputje nga pozicioni i kamotshëm i Spanjës ndaj pavarësisë së njëanshme të Kosovës”.

Opozitari spanjoll Pablo Hispan për pjesëmarrjen e Sanchez në Samit së bashku me Kosovën e ekzagjëroi deri në fatalitet.

“Pjesëmarrja e Sanchez nuk është vetëm paaftësi, por edhe dorëzim”, shkroi ai në Twitter.

Ndërsa shkroi edhe se “Sanchez-i pranon ta mbrojë e te ulet në diskutime me Kosoven” duke e interpretuar kështu pohimin e Sanchez-it se “Spanja duhet të merr pjesë në të gjitha forumet”.

Ndërkaq e përditshmja spanjolle nga rajoni i Katalonjës, El Nacional, ka raportuar të mërkurën se presidenti i Qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez, është duke marrë pjesë në samitin mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Slloveni.

Mirëpo, këtij vendi i është garantuar që në takime nuk do të ketë simbole shtetërore, pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky samit i rregullt, është mbajtur vitin e kaluar përmes video-lidhjes, për shkak të pandemisë së Coronavirusit, ndërsa më 2018 në të nuk ka marrë pjesë ish-presidenti spanjoll, Mariano Rajoy, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Edhe në takimin përmes video-lidhjes, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe njësoj pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore