Sport

Diferencat midis Superligës Europinae dhe formatit të ri të Ligës së Kampionëve


Ditën e diel në orët e vona të mbrëmjes, 12 nga klubet më të fuqishme të futbollit njoftuan krijimin e Superligës Europiane. Ndërkohë që UEFA u përgjigj me prezantimin e formatit të ri të Ligës së Kampionëve.

Superliga ka trazuar shumë gjëra në futboll këto ditë, por UEFA i është kundërpërgjigjur menjëherë.

Por, cilat janë pikat në favor të secilit kompeticion?

Në favor të Superligës

Argumenti kryesor që çoj në krijimin e kësaj lige është ai ekonomik. Pjesëmarrësit e kësaj gare do të marrin shumë të ardhura, që në Ligën e Kampionëve, të paktën me formatin aktual, nuk mund t’i merrnin.

Vetëm duke qenë pjesë e këtij turneu, skuadra si Barcelona dhe Real Madrid-i do të përfitojnë nga 350 milionë euro.

Një pikë tjetër që ofron Superliga është se spektakli që do të ofrojë është më i madh, pasi ekipet më të fuqishme në futboll ndeshen me njëra-tjetrën, duke i bërë ndeshjet më interesante dhe duke ndikuar në rritjen e fitimeve.

Gjithashtu do të këtë kontroll të drejpërdrejtë të klubeve mbi të ardhurat, pa ndermjetës ose interesea të dyfishta dhe do të ketë një stabilitet ekonomik, përsa u përket pagave të lojtarëve, të cilat do të mbulohen maksimumi nga 55% e buxhetit të klubit, jo me teper.

Në favor të formatit të ri të Ligës së Kampionëve

UEFA ka punuar për reformimin e Ligës së Kampionëve, e cila do të fillojë me formatin e ri, nga sezoni 2024/25, duke shtuar edhe katër klube të tjera dhe duke e çuar totalin nga 32 në 36 klube pjesëmarrëse në fazën e grupeve.

Secili nga klubet që do të jenë pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve do të luajë 10 ndeshje, pesë në shtëpi dhe pesë në transfertë. Kualifikimi do të jetë me meritë, pa pasur metodë fikse, pra nuk do të ndryshojë nga formati aktual.

Formati i ri shihet si një mënyrë për të rritur surprizat, më shumë para të shpërndara midis klubeve, duke favorizuar klubet më të vogla.

Gjithashtu do të ketë më shumë ekipe pjesëmarrëse, më shumë vende të përfshira dhe më shumë lojtarë.

Sistemi i meritokracisë do të jetë baza për të qenë pjesë e Ligës së Kampionëve. Ekipet që kanë treguar performancë më të mirë në sezonin e kaluar, do të jenë pjesë e Ligës së Kampionëve në sezonin pasardhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore