Lajme

Didi ndalon planin e zgjerimit në Mbretërinë e Bashkuar


Didi, kompania kineze e transportit, ka ndaluar planet për të filluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën kontinentale.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia e lajmeve, “BBC”, nga një burim i lidhur me çështjen.

Tanimë, kompania është duke kryer konsultime me ekipin që punon te projekti lidhur me caktimin e roleve të reja ose tepricave të mundshme.

Kjo lëvizje vjen pasi firmat kineze po përballen me një kontroll intensiv nga vendet perëndimore dhe Pekin-i, i cili ka ndërmarrë masa mbi privatësinë e të dhënave.

Didi nuk ka komentuar drejtpërdrejt për historinë, por ka thënë në një deklaratë se “ne vazhdojmë të eksplorojmë tregje të reja shtesë, duke komunikuar me aktorët përkatës në secilën prej tyre dhe duke menduar se kur t’i prezantojmë shërbimet tona”.

Zëdhënësi i kompanisë ka shtuar se “sapo të kemi më shumë lajme për tregje të reja shtesë, ne mezi presim t’i ndajmë”.

“BBC” tregon se Didi ka arritur ta zgjerojë biznesin e vet ndërkombëtar dhe kohët e fundit ka filluar shërbimet në një numër vendesh të reja në Afrikën e Jugut, Ekuador dhe Kazakistan.

Lidhur me të ardhmen e ekipit të saj në Mbretërinë e Bashkuar, Didi ka sqaruar se “ne kemi krijuar një qendër ndërkombëtare të talenteve në MB, duke njohur cilësinë e jashtëzakonshme të njerëzve në treg. Përtej kësaj, çdo çështje e personelit mbetet rreptësisht konfidenciale”.

Ky vendim i kompanisë për t’u ndalur, vjen pasi kompanitë kineze përballen gjithnjë e më shumë me vëmendjen e autoriteteve në vendet perëndimore.

Vitin e kaluar, gjiganti i telekomunikacionit, Huawei, u ndalua nga infrastruktura e Mbretërisë së Bashkuar 5G dhe po përballet me shqyrtimin e praktikave të tij të sigurisë nga Qendra Kombëtare Britanike e Sigurisë Kibernetike.

Huawei është gjithashtu edhe një nga kompanitë kineze të goditura nga kufizimet e ashpra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nën administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, firmat duke përfshirë në to edhe aplikacionin jashtëzakonisht të popullarizuar për ndarjen e videove, u vunë në shënjestër mbi akuzat për lidhje me qeverinë kineze.

Kurse presidenti aktual, Joe Biden, ka hequr dorë nga ajo retorikë që Washington-i vazhdon të mbajë presionin ndaj firmave kineze.

Në të njëjtën kohë, Didi është vënë nën një kontroll intensiv në Kinë pasi Pekin-i po godet gjithnjë e më shumë privatësinë e të dhënave.

Në fillim të këtij viti, rregullatori i internetit në vend urdhëroi dyqanet online të ndalonin ofrimin e aplikacionit të tij, duke thënë se ai mblodhi ilegalisht të dhënat personale të përdoruesve.

Për sa i përket ndalimit, njoftimi erdhi vetëm dy ditë pasi kompania mblodhi 4.4 miliardë dollarë në debutimin e saj në bursën e New York-ut. Ndërkohë, aksionet e Didi-t ranë ndjeshëm.

Nga ana tjetër, qeveria kineze po prezanton masa më të gjera për të mbrojtur privatësinë e të dhënave.

Organi më i lartë legjislativ në vend, Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Kombëtar, miratoi një ligj të ri gjithëpërfshirës të privatësisë.

Ligji për Mbrojtjen e Informacionit Personal synon të kontrollojë rreptësisht mbledhjen e të dhënave nga firmat teknologjike dhe do të hyjë në fuqi nga 1 nëntori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore