Lajme

Diaspora e artistëve që ikin nga Rusia


Në një natë vere, 160 mjekë, filozofë, teologë, shkrimtarë “armiq të revolucionit” u ngarkuan në dy anije gjermane dhe u detyruan të largoheshin nga Rusia.

Ishte viti 1922, “anijet e filozofëve” e ndanë kulturën ruse në kulturën sovjetike dhe atë emigratore.

Njëqind vjet më vonë, një përçarje e ngjashme ende ndan intelektualët dhe artistët. Mijëra largohen nga vendi për t’i shpëtuar presionit gjithnjë e më të fortë ndaj atyre që nuk pajtohen.

“Nuk mendoj se çdo artist duhet të jetë militant”, ka thënë Arseniy Petrov, një kritik arti tani në Itali me familjen e tij.

“Mendoj për Anna Akhmatova, për Andrey Tarkovsky: mund të thuhet se ata bashkëjetuan me Rusinë Sovjetike. Por ne duhej të iknim”.

Me gruan e tij, historianen e artit Olga Alter dhe fëmijët e tyre, Petrov mbërriti në Venecia nëpërmjet Stambollit.

Gjatë një prej demonstratave të para kundër luftës, tre fëmijët e tyre të moshës 7, 9 dhe 11 vjeç çuan vizatime në ambasadën e Ukrainës në Moskë.

Por fëmijët u arrestuan, u ndanë nga nënat e tyre dhe u ndaluan për orë të tëra.

“Pas atij episodi ne ndjemë stres të padurueshëm. Ne u paditëm, u futëm në listën e aktivistëve dhe çdo javë policia vinte në shtëpitë tona dhe na nënshkruante paralajmërimet”.

“Miqtë gjermanë dhe italianë na ndihmuan me viza. Në Venecia na pritën mirë. Duke parë prapa, duket si një zinxhir mrekullish”.

Diaspora e artistëve është një pjesë jo e vogël e një eksodi më të gjerë, ka shpjeguar profesoresha Silvia Burini, drejtoreshë e Qendrës për Studime mbi Artet Ruse në Universitetin Ca’ Foscari.

Prej fillimit të luftës vlerësohet se janë larguar nga Rusia të paktën një milion qytetarë.

Burini, së bashku me muskoviten Olga Shishko, ish kuratore e departamentit të Artit Mediatik të Muzeut Pushkin në Moskë dhe tani në Venecia, po kurojnë një projekt kërkimor të Qendrës për Studime mbi Artet e Rusisë në Departamentin e Filozofisë dhe Trashëgimisë Kulturore të Ca’ Foscarit me titull “Hartëzimi i Diasporës”.

“Kërkojmë artistë, kuratorë, regjisorë dhe aktorë rusë në mërgim që të përfshihen në regjistrimin tonë”, ka bërë thirrje ajo.

Po ashtu falë ndihmës së këtij rrjeti, disa nga akademikët kanë gjetur pozicione të përkohshme në universitetet evropiane.

Në rrjet ka shumë emra dhe shumë histori.

Ashtu si Danila Tkachenko, e njohur në Itali edhe për ata që nuk ia dinë emrin: librat e Anna Politkovskaja të botuara nga Adelphi kanë të gjithë fotografitë e saj në kopertinë.

“E kam ekspozuar shumë veten, por Rusia është vendi im. Nuk mund të heshtja”.

Aleksandr Povzner, i strehuar në Berlin, tani po ekspozon një projekt mbi “migrantët e luftës së detyruar” në një ekspozitë në Gothisches Haus.

Kurse Sergey Kishchenko, kur Vladimir Putin shpalli mobilizimin, ishte në Kassel, larg Moskës.

“U nisa në shtator, me 10 kilogramë bagazh. Në Moskë lashë arkivat e mia për periudhën sovjetike, një thesar”. Isha duke punuar në një projekt të titulluar ‘Këneta’: një metaforë e mirë për Rusinë e sotme”.

Për kuratoren Olga Shishko, “ishte viti i zhgënjimeve më të mëdha, nuk jam ndjerë kështu që kur kam mbetur e ve”.

“Pas pushtimit u largova nga muzeu. Shkova në Kaliningrad, por nuk munda të jepja mësim. Kam vuajtur nga depresioni. Tani në Itali thurja e këtij rrjeti artistësh në mërgim më jep një ndjenjë lirie. Por në shtëpi lashë nënën time. Dhe mendoj se regjimi do të zgjasë të paktën 15 vjet të tjera. Viza ime do të skadojë shumë më shpejt”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore