Lajme

Dialogu dhe liberalizimi i vizave top-prioritetet e Çekisë gjatë kryesimit të BE-së


Nga e djathta: Pavel Bilek, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Tomas Szunyog

Dialogu Kosovë-Serbi dhe çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët, do të jenë dy top-prioritetet e Republikës Çeke gjatë kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, kryesim të cilën e ka pranuar sot nga shteti i Francës për një periudhë gjashtë mujore.

Në kryesimin e saj gjashtëmujor, Çekia ka caktuar prioritetet e saj, ndërsa duke iu referuar Ballkanit Perëndimor, prioritet mbeten progresi në negociatat për zgjerim të BE-së dhe mbështetja e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Udhëheqësi i Ambasadës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, kanë mbajtur një ceremoni në Prishtinës ku kanë prezantuar prioritetet e Çekisë gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe përfaqësues tjerë politikë, e nga shoqëria civile.

Në fjalën e saj Osmani, ka ripërsëritur synimin e Kosovës për të kandiduar për statutin e vendit kandidate për anëtarësim në BE.

Në anën tjetër, i pari i ekzekutivit, ka thënë se Kosova ka dëshmuar se është shtet pro-evropian duke iu bashkuar shteteve që ka vendosur sanksione ndaj shtetit rus e duke i ndihmuar refugjatët ukrainas.

“Qytetarët e Kosovës shpresojnë që presidenca çeke do ta bëjë të mundur liberalizimin e vizave dhe t’i japë fund izolimit të kosovarëve. Jemi vendi i vetëm qe kemi plotësuar kriteret dhe nuk e kemi marrë liberalizimin e vizave”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore