Shqipëria

Di Maio: Shqipëri-Itali, histori e bukur dhe e jashtëzakonshme


“Pikërisht sot, shënohet 30-vjetori i zbarkimit të shqiptarëve në brigjet e Puglia-s. Imazhet e atyre ditëve, do të mbesin gjatë në kujtesën kolektive italiane. Ndërkohë, shqiptarët, e shihnin vendin tonë si të mbushur me mundësi dhe shpresë për një jetë më të mirë”.

Kështu e ka përshkruar ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, fillimin e viteve ‘90. Kur shqiptarët hodhën sytë nga deti dhe mbushën anijet drejt vendit fqinj.

“Shqiptarët, pasi përballuan një lundrim të shkurtër, por të bezdisshëm, erdhën në Itali të sfilitur”, parashtron Di Maio. “Nuk ishte një rrugëtim i lehtë për ta. Por, në pjesën më të madhe, gjetën mikpritje, shpesh, edhe punë”.

Kryediplomati italian vazhdon, duke thënë se “mobilizimi i italianëve për të ndihmuar vëllezërit e motrat përtej detit, mbetet një ndjenjë krenarie”. “Rreth gjysmë milioni shqiptarë jetojnë në vendin tonë. Ata japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të Italisë”.

Për sa u përket marrëdhënieve të sotme midis dy vendeve, Di Maio theksoi faktin se Italia është partnerja kryesore e Shqipërisë. “31.4% e transaksioneve drejt Shqipërisë vijnë nga Italia. Kjo shumë shkon në 2.2 miliardë euro, rreth 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto shqiptar”.

Ndërkaq, sipas Di Maio-s, Covid-19 e vërtetoi sërish vëllazërinë midis dy vendeve. “Forma të ndryshme bujarie u panë nga të dy vendet në periudhën e pandemisë”.

“Lidhja Shqipëri-Itali është e bukur dhe e jashtëzakonshme. Jam i lumtur që sot e festojmë këtë ditë”, përmbyll Di Maio.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore