Muzikë

“Dhurata” për Dhuratën – mbi 35 milionë klikime në albumin e parë


Kush do të thoshte se do të duhej më shumë se një dekadë që këngëtarja shqiptare Dhurata Dora, fama e të cilës që moti i ka kapërcyer kufijtë shqipfolës, të publikonte albumin e saj të parë.

Por, kështu ngjau – dita e tretë e muajit mars të këtij viti do të mbetet një datë e paharruar dhe me rëndësi të veçantë për këngëtaren ikonike të muzikës pop, ngase po në këtë ditë ajo lansoi albumin “Dhurata”.

Si një dhuratë e vërtetë për miliona fansat që ajo numëron, Dora në kopertinën e albumit u shfaq me thjeshtësinë që e karakterizon ndër vite – grim të lehtë, flokë të lëshuara më volum si dhe e veshur me rozë, bashkë me doreza të po të njëjtës ngjyrë.

Kopertina zyrtare e albumit “Dhurata” nga Dhurata Dora.

Ashtu siç edhe pritej, bazuar në suksesin që Dora kishte korrur përgjatë karrierës së saj prej artisjeje, edhe albumi ishte një arritje e llojit të vet.

Disa prej këngëve të albumit ishin lansuar para publikimit të tij – të gjitha morën epitetin e të qenit hite – miliona klikime si dhe fluks prenotimesh në koncerte brenda dhe jashtë vendit.

Albumi “Dhurata” që u lansua në të gjitha platformat, përfshirë edhe YouTube, përmbanë gjithsej gjashtëmbëdhjetë këngë, veç se “Besame” ishte ajo që i’u priu, pasi që artistja e publikoi atë edhe me video klip.

E njëjta këngë aktualisht numëron afro 20 milionë klikime në Youtube, por sukses të jashtëzakonshëm shënuan edhe perlat e tjera, të renditura brenda “Dhuratës”.

Bashkëpunimet ishin pjesë e albumit veç se jo të gjithë artistët ishin të nacionalitetit tonë. Këngëtarja rumune, Inna, artistët britanikë, Stefflon Don e Jay1 si dhe rep artistët gjermanë Luciano e Bausa, ishin po ashtu pjesë e këtij projekti, pa i harruar edhe Lus e Eckon.

Gjithsesi, vetëm bashkëpunimi me Elvana Gjatën në këngën “Luj” ka marrë mbi 7 milionë klikime në YouTube, derisa ai me Noizyn e Lucianon afro 2 milionë sosh.

Mbase dikush do të thoshte – “bashkëpunimet sjellin më tepër klikime”, dhe kjo mbase edhe qëndron.

Kopertina e përmbajtjes së albumit “Dhurata” nga Dhurata Dora.

Por, Dhurata e ka dëshmuar edhe një të vërtetë tjetër.

Kënga “Ma kadale”, e publikuar ‘solo’ dhe vetëm me imazhin e kopertinës së albumit, ka arritur që të grumbullojë afro 4 milionë klime. Po, po, e lexuat mirë, kënga në fjalë është klikuar plot 3 milionë e 700 mijë herë, dhe jo vetëm.

Edhe kënga tjetër e albumit, e titulluar “Hallall” u përqafua dukshëm nga audienca, ndërsa deri më tani i ka sjellë artistes mbi një milion klikime.

Publikimi i albumit “Dhurata” bashkë me video projektin muzikor “Besame” nga Dhurata Dora deri më tani vetëm në platformën YouTube ka grumbulluar hiq më pak se 35 milionë e 600 mijë klikime.

Këto shifra përfshijnë vetëm publikimin e këngëve më datën 3 mars, pasi që siç u theksua më lartë, disa prej tyre ishin lansuar edhe paraprakisht, dhe pothuajse të gjitha po ashtu arritën të kapin qindra mijëra klikime në YouTube, si dhe suksese të kënaqshme edhe në platformat e tjera, përfshirë Spotify.

“Dhurata” mbetet një nga albumet më të suksesshme të të gjitha kohërave në diskografinë shqipare të muzikës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore