Lajme

Dhuna ndaj grave në Rusi: Dëmshpërblim gruas së cilës iu amputuan duart


Rusia është urdhëruar të paguajë më shumë se 370 mijë euro si kompensim për një grua të cilës burri i saj i amputoi duart.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tha se Rusia kishte dështuar në luftimin e dhunës në familje dhe e urdhëroi atë të kompensonte katër gra që u sulmuan brutalisht.

Ato përfshijnë Margarita Gracheva, bashkëshorti i së cilës e rrëmbeu në vitin 2017 dhe e sulmoi me sëpatë.

Gjykata i tha Rusisë që të bëjë ndryshime urgjente për të ndaluar sulme të tilla në të ardhmen.

Sipas Gjykatës, dhuna në familje kundër grave po ndodhte në një “shkallë marramendëse” dhe Rusia kishte shkelur dy nene të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në dhjetor 2017, bashkëshorti i Gracheva-s e mori atë në një pyll dhe ia preu duart me sëpatë.

Asokohe e kishte denoncuar në polici sjelljen e tij agresive, por oficerët i injoruan ankesat e saj.

Dora e saj e majtë e gjymtuar u nxor nga pylli dhe u qep përsëri. Një protezë e dorës së djathtë u vendos pas një fushate “crowdfunding”.

Ish-burri i saj, Dmitry Grachev, u arrestua dhe u dënua me 14 vjet burg.

Gjykata tha se rasti i Gracheva-s tregoi sesi ligjet e Rusisë nënkuptonin se autoritetet nuk e dallonin abuzimin në familje, derisa u përshkallëzua për të shkaktuar lëndime fizike.

Ai bëri thirrje për një përcaktim ligjor të dhunës në familje dhe që të gjithë autorët të kriminalizohen.

Në vitin 2017, presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj që zbut dënimet për dhunën në familje.

Veprat e para, ku viktima nuk shtrohet në spital, nuk trajtohen më si vepra penale dhe u reduktuan dënimet.

Tri gra të tjera, Natalya Tunikova, Yelena Gershman dhe Irina Petrakova, do të paguhen gjithashtu.

“Ne fituam!”, shkroi në median sociale “Facebook” Mari Davtyan, një nga avokatet që përfaqëson gratë.

Secila nga këto gra është lënduar rëndë, si pasojë e mosveprimit të shtetit në situatën e dhunës në familje”, tha ajo.

Rusia kishte kundërshtuar më parë kërkesat e grave për kompensim.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Mikhail Galperin, tha se shteti rus nuk duhet të mbajë përgjegjësi për rastet e dhunës në familje të kryera nga individë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore