Shqipëria

Dhoma e Përmbarimit: Dy të arrestuarit për pagërrjedhjen nuk janë përmbarues, por mashtrues


Dhoma e Përmbaruesve ka reaguar përmes një komunikate zyrtare për mediat, duke deklaruar se dy të arrestuarit për blerjen e databazës së pagërrjedhjes nuk janë përmbarues, por mashtrues.

“Informojmë dhe sqarojmë mediat bashkë me opinionin publik se dy personat që blenë dhe përdorën të dhënat e shqiptarëve, përkatësisht Endri Ikonomi dhe Klodian Sota nuk janë përmbarues dhe nuk kanë qenë kurrë të tillë”, shkruhet fillimisht në reagim.

Njoftimi ravijëzon se “kryeprokurorja e Tiranës sot u shpreh se këta dy persona punojnë në fushën e përmbarimit, por në fakt të dy punojnë në fushën e mashtrimit”.

Dhoma e Përmbarimit zbulon se Ikonomi ka krijuar kompaninë “PRO 3VT” sh.p.k.

Kjo e fundit, sipas deklaratës, shërbente si institucion financiar mikrokredie.

Ndërsa, Sota kishte krijuar kompaninë “SMART COLLECTION” sh.p.k.

Ajo merrej me “mbledhje detyrimesh/kredish të këqija për bankat e nivelit të dytë dhe të trete…”.

Dhoma e Përmbarimit thekson se të dyja kompanitë, pa asnjë lloj licence për këto aktivitete, janë regjistruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe lejuar nga Banka e Shqipërisë.

“Akuzojmë publikisht titullarët e këtyre dy institucioneve për lejimin e tyre, ashtu si të dhjetëra të tjerave që ne i kemi denoncuar disa herë si ‘Baraka Financiare’, të cilat mbledhin borxhe nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”, përmbyllet reagimi i saj.

 

Deklarata

Kreu i Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, do të zbulonte më herët para mediave, veprimtarinë dhe mekanizmin e nxjerrjes së të dhënave të 637 mijë e 138 tatimpaguesve, nga të arrestuarit.

Dy prej tyre, sipas Imeraj, kanë qenë punonjës IT-je pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Fillimisht, specialistja e AKSHI-t, Eni Qirjako, ka pasur qasje në këto të dhëna dhe më pas ia dërgonte mikut të saj, Andi Agaraj, përmes kanalit WeTransfer.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Kreu i Prokurorisë së Tiranës vuri theksin te dy arrestimet e tjera, të cilët janë punonjës të subjekteve private.

Pra, dy punonjësit e sektorit privat, në fushën e përmbarimit, Klodian Sota dhe Endri Ikonomi i blinin dorazi të dhënat nga dy punonjësit e instituticioneve publike për 20 deri në 30 mijë lekë për secilin transferim.

Në kuadër të deklaratës të saj, ajo ka ravijëzuar se është konkluduar një fazë e hetimeve paraprake dhe nuk ka ofruar detaje të tjera.

Ndërkaq, Imeraj ka falenderuar edhe kolegët e Policisë së Shtetit për bashkëpunimin gjatë investigimit.

Ndërtimi i ngjarjes

Të mërkurën e 22 dhjetorit u publikuan pagat për muajin janar 2021.

Sot, të enjten e 23 dhjetorit, ndërkohë që kryeministri Edi Rama po jepte shpjegime mbi rrjedhjen e të dhënave, është publikuar lista e pagave të muajit prill 2021, për të gjithë punonjësit e sektorit publik dhe privat.

Redaksia e Albanian Post ka arritur të sigurojë listën e përditësuar të muajit prill, ku duken qartësisht ndryshimet.

Për arsye etike, ashtu si për të dhënat e janarit, Albanian Post nuk do të publikojë asnjë të dhenë.

Por, pavarësisht kërkimit të faljes publike nga kreu i Qeverisë, duke se çështja vijon të rëndohet, ku rrjedhja e të dhënave bëhet edhe më e madhe dhe indiciet parakrake, sugjestionojnë se edhe pagat e muajve të tjerë mund të jenë në qarkullim.

Ky dokument i dytë, përmban më shumë të dhëna, me 694 mijë e 473 persona pjesë e listës.

Ndërsa i pari ka qarkulluar në rrjetin Whatsapp si dokument, i dyti ka qarkulluar nëpërmjet një linku në rrjetin e shpërndarjes WeTransfer.

Një detaj tjetër i listës, është fakti se këtë herë, të publikuar, janë edhe numrat e telefonave të qytetarëve. Ata janë të vendosur në një faqe më vete, së bashku me datëlindjet dhe vendlindjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore