Biznes

Dhoma Amerikane e Tregtisë, thirrje partive politike për përpilimin e programeve specifike ekonomike


Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham) ka zhvilluar ditën e mërkurë, më 10 mars, konferencën vjetore për mediat për periudhën 2020-2021.

Konferenca “Sfidat, normaliteti i ri dhe mjedisi i biznesit”, e mbajtur nga presidenti i AmCham, Enio Jaço, ishte një bilanc për efektet e pandemisë në ekonomi.

Jaço vuri theksin te korrupsioni, si kërcënimi më i mprehtë ndaj ekonomisë shqiptare. Ai u ka bërë thirrje forcave politike që të tregohen të vëmendshme mbi këtë problematikë.

Sipas tij, janë krijuar mekanizma të ndryshme për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta dhe të mesme të zyrtarëve.

“Lidhur me konsultimet publike ne kemi një ligj, por që nuk funksion mirë”, deklaroi ai.

Gjatë konferencës u trajtua edhe tema e programeve elektorale të partive politike, në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.

AmCham nuk ka një preferencë mes taksës së sheshtë dhe asaj progresive. Jaço sqaroi se pozicioni i AmCham-it është i paanshëm dhe se ata janë të interesuar në një sistem të ndershëm, me taksa të ulëta dhe që nuk ndryshon shpesh.

Ai u bëri thirrje partive politike të japin programe më specifike në lidhje me ekonominë. “Partitë politike ofrojnë disa elemente kryesore, por ne do të donim që partitë të shkonin pak më tej”, tha ai.

Presidenti Jaço pohoi se ndikimi i pandemisë ka qenë i madh, porse bizneset amerikanët kanë reduktuar shumë pak numrin e të punësuarve.

Xhiroja e përllogaritur për vitin 2020 ishte rreth 3,1 miliardë dollarë. Kjo vjen si rezultat i afrimit të më shumë bizneseve pranë dhomës.

Sfidat, me të cilat është përballur biznesi amerikan, përmblidhen në tri fusha kryesore: aksesi në financë, tregtia fizike dhe përshtatja me normalitetin e ri.

Aksesi në financë ka qenë i ulët, pavarësisht ndihmave të qeverisë. “Vumë re se Shqipëria është më pak e përgatitur në instrumentet e tjerë alternativë”, theksoi Jaço.

Tregtia fizike ka pësuar humbje në të gjithë botën dhe trendet shkojnë drejt tregtisë online. Problematika në Shqipëri lidhet me legjislacionin e papërshtatshëm për këtë sektor.

“Është naive të mendosh se do përshtatemi sapo të mbarojë pandemia”, tha Jaço gjatë konferencës. Prandaj, sipas tij, është përgjegjësi e biznesit për t’u përshtatur me normalitetin e ri, që pritet të zgjasë edhe përtej 2021.

Rekomandimet e dhomës lidhen me modernizim e sistemit të taksave, formalizimin e bizneseve, fuqizimin e eksporteve dhe ekonomisë digjitale. Për këtë të fundit, ai tha se një ekonomi e suksesshme pas pandemisë do të varet nga ekonomia digjitale.

Në fund, Jaço foli edhe mbi rekomandimet e plota. Ato do të bëhen publike në vijim dhe do t’u vihen në dispozicion organeve kompetente që hartojnë politikat ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore