Lajme

Dhjetori afër – A do të aplikojë Kosova për anëtarësim në BE?


Ilustrim: Flamuri i Kosovës dhe i Bashkimit Evropian

Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor.

Ky ishte një ndër premtimet kryesore të Qeverisë së Kosovës i amplifikuar relativisht në të gjitha takimet bilaterale që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryeministri, Albin Kurti, zhvilluan gjatë këtij viti.

Ndonëse kanë mbetur pak më shumë se 1 muaj deri në përfundimin e këtij viti synimi i ekzekutivit kosovar, të paktën deri më tani, ka mbetur vetëm në form të premtimit.

Në terren ende nuk ka asnjë lëvizje, megjithatë përgatitjet nuk mungojnë.

Kështu të paktën kishte deklaruar kryeministri Kurti, në një konferencë për media, së bashku me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Sivjet synojmë të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe për këtë presim përkrahjen e të gjitha vendeve. Do të dëshironim që të shkojnë gjërat më shpejt dhe për këtë do të punojmë vazhdimisht. E sigurova kancelarin se në përputhje me premtimet dhe perspektiven evropiane po punojnë për përmbushjen e reformave të nevojshme për integrim në BE”, kishte thënë Kurti.

Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Çfarë duhet të bëjë Kosova në këtë fazë?

Aplikimi për anëtarësim në BE fillon zyrtarisht kur vendi aspirant dorëzon aplikimin për anëtarësim Presidencës së BE-së.

Komisioni Evropian ofron një opinion formal Avis për vendin i cili aplikon, duke rekomanduar dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Pasi Këshilli, në unanimitet bie dakord mbi një mandat negociues, bisedimet midis vendit kandidatit dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së mund të hapen formalisht.

Por, para se të fillojnë negociatat, kandidati në këtë rast shteti aplikues duhet të plotësojë kriteret e aderimit në BE.

“Kriteret e Kopenhagenit”, kërkojnë që vendi kandidat të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Evropian.

Aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomik dhe të bashkimit monetar.

Afati optimal kur Kosova mund të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian?

Datë të caktuar nuk ekziston për asnjë kandidat, pasi procesi në fjalë përparon varësisht nga aftësia e kandidatit/shtetit për t’i përmbyllur kapitujt të kërkuara nga Unioni.

Megjithatë një hulumtim i bërë nga instituti EPIK, i cili duke u bazuar në arritjet e shteteve të Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e reformave të kërkuara nga BE-ja për periudhën 2019-2021 kishte konstatuar se Kosovës i duhen plotë 62 vjet që të jetë anëtare e përhershme e Unionit.

Ndryshe Albanian Post muaj më parë kishte trajtuar si temë synimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në BE.

Për bashkëbiseduesit e AP-së, një prospekt i tillë, paramendueshëm me shumë barriera në horizont, ishte i duhur.

Profesori universitar Ibrahim Gashi dhe aktivistja Sonja Biserko, synimin e Kosovës e kishin parë si një presion të llojit të butë ndaj Brukselit në qasjen e tyre ndaj Kosovës.

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, strategji që mund të rezultojë e qëlluar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore