Bota

Dhjetëra të plagosur e të zhdukur pas rrëshqitjes së tokës në Norvegji


Të paktën dhjetë persona janë plagosur dhe disa të tjerë janë të zhdukur për shkak të një rrëshqitjeje masive të dheut në një zonë rezidenciale në afërsi të kryeqytetit norvegjez të Oslo-s.

Ngjarja e cila dëmtoi dhjetëra shtëpi ndodhi në mëngjesin e sotëm në një fshat të quajtur Ask, në bashkinë e Gjerdrum-it.

Një prej të plagosurve u transportua në gjendje të rëndë me helikopter drejt spitalit të Ullevål. Katër të tjerë u transportuan me ambulancë. Ndërkohë pesë të plagosur u trajtuan në vendngjarje.

Rreth 200 persona janë evakuar nga frika se mund të ketë rrëshqitje të tjera gjatë orëve në vijim.

Bëhet me dije se 12 njerëz janë të zhdukur dhe po kryhen kërkime për gjetjen e tyre. Për t’i lokalizuar po përdoren helikopterë, drone dhe pajisje me optikë termike. Autoritetet bëjnë me dije se kërkimet do të vijojnë deri në gjendjet e tyre.

Në një buletin të policisë, theksohet fakti se “toka është ende në lëvizje dhe forcat e kërkimit nuk mund të zbresin në terren”. Pas rrëshqitjes së parë ka pasur dhe lëvizje të tjera, të cilat kanë dëmtuar më shumë shtëpi.

Rreth 40 ambulanca janë dërguar në vendngjarje për të qenë në gatishmëri.

Kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg, ka reaguar për ngjarjen në Twitter. “Mendimet e mia shkojnë për ata që u prekën nga rrëshqitja e tokës. Tani është e rëndësishme që shërbimet e emergjencave të kryejnë punën e tyre”, shkruan Solberg.

Zona në fshatin e Ask-ut është e njohur për ngjarje të tilla. Rrëshqitje të tokës ka pasur edhe në raste të mëparshme./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore