Lajme

Detajet e planit franko-gjerman do të zbulohen pas takimit Kurti-Vuçiç, thotë Lajçak


Miroslav Lajçak

Detajet e dokumentit të Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi – mbështetur nga Gjermania dhe Franca – do të zbulohen para qytetarëve pas takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Të paktën kështu njoftoi emisari special i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, në një intervistë për Kanal10, duke kumtuar njëkohësisht se planifikon t’i vizitojë të dy vendet javën e ardhshme.

“Takimi i radhës do të zhvillohet javëve në vijim. Kështu që në fund, jam i sigurt se publiku do të informohet për procesin dhe për propozimin, sigurisht pas takimit të dy liderëve”.

Duke komentuar afatet kohore për marrëveshje, bazuar në propozimin e ashtuquajtur franko-gjerman, Lajçak pohoi se nëse ekziston vullneti, çështja mund të përmbyllet brenda javësh.

“Ne besojmë se nuk duhet të shpenzojmë shumë kohë për këtë propozim dhe për këtë marrëveshje. Nëse palët janë të përkushtuara, serioze dhe të gatshme, kjo mund të përmbyllet brenda javësh”.

Miroslav Lajçak, Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç

Ndërkaq, duke folur për tensionet në pjesën veriore të Kosovës rreth problemit të targatve, diplomati sllovak theksoi se nëse s’do të kishte marrëveshje në Bruksel, palët do të zhyteshin drejt një krize serioze.

“Ai takim nuk prodhoi rezultate dhe dukej se ne po shkonim drejt një krize serioze. Dhe pastaj pala kosovare propozoi shtyrje për 48 orë. Dhe ne e dinim të mërkurën e kaluar se nëse nuk ka një marrëveshje, do të ndodhnin gjëra negative në terren”.

“Dhe fakti që ata kuptuan se kjo ishte shansa e fundit, bëri që palët të jenë serioze dhe të përkushtuara dhe më duhet ta përsëris, të dy palët ishin konstruktive përndryshe nuk do të kishte marrëveshje”.

Tutje, diplomati sllovak theksoi se në çdo kohë është në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe shtetet e BE-së.

Çfarë parashihet me “kornizën e re” të dialogut?

Nëse Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshjen e bazuar në dokumentin e përpiluar pas angazhimit të liderëve Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, atëherë Serbia do të pajtohet që ta respektojë ekzistencën e Kosovës dhe ta trajtojë si një realitet të ndarë juridik.

Kurse, Kosova duhet të pranojë se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake – Marrëveshja e Brukselit (2013), përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Propozim – marrëveshja është pagëzuar “Marrëveshja Bazë për statusin e raporteve”, dhe nenet kryesore janë të bazuara në kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga e cila rregullohen raportet ndër-shtetërore.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka potencuar se është “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar vazhdimisht se ajo që ka parë është “e vështirë për Serbinë”.

Albanian Post ka publikuar ekskluzivisht dokumentin franko-gjerman, fillimisht me 18 shtator e më pas edhe më 12 nëntor.

Ekskluzive: Dokumenti i propozimit franko gjerman – Përmes Nenit 1, 2 dhe 3 Serbia pranon ekzistencën e Kosovës, Neni 9 detyron Kosovën ta themelojë Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore