Lajme

Dështon gjykimi ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe shtatë deputetëve, “penguan policët gjatë arrestimit të Kurtit”


Ramush Haradinaj në Gjykatë

Tani e ka kundërshtarë politik, por pikërisht në këtë kohë po përballet me drejtësinë për shkak se pengoi Policinë e Kosovës në kryerjen e detyrës së tyre për ta arrestuar.

Ramush Haradinaj tani po akuzohet se kreu veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, duke mbrojtur Albin Kurtin që të mos arrestohej, në nëntor të 2015tës.

Bashkë me Ramush Haradinajn ishin edhe shtatë teputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Por kjo seancë dështoi, pasi që munguan ish-deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, Zafir Berisha, Visar Ymeri dhe Time Kadrijaj, të cilët u bë shkak që të mos nisë gjykimi.

Bashkë me ta në këtë rast po akuzohen edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ish-deputetët Daut Haradinaj, Shqipe Pantina dhe Lah Brahimaj.

Për mungesën e Selimit në seancën e së enjtes, gjykatësi i rastit Ngadhnjim Arrni deklaroi se tanimë janë të ditura arsyet e mungesës së tij duke shtuar se në seancat e ardhshme do të vendoset nëse do të veçohet procedura ndaj të njëjtit.

Ndërsa, sa i përket mungesës së Berishës, Ymerit dhe Kadrijaj, gjykatësi Arrni njoftoi se “për të njëjtit gjykata nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ramush Haradinaj, avokati Ramë Gashi ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë prokurorinë ta pajisë mbrojtjen me shkresa të lëndës pasi që sipas tij, i mbrojturi i tij përveç ftesës për seance nuk ka asnjë shkresë tjetër.

“ I mbrojturi im nuk ka asnjë shkresë, përjashtim të thirrjes që e ka marrë për seancën e sotme kjo nënkupton se prokuroria ende nuk e ka përmbushur obligimin ligjor pas ngritjes së aktakuzës lidhur me shpalosjen e shkresave të lëndës, është një e drejte themelore e bazuar në ligj edhe ne nuk mund të themi asnjë fjalë, asnjë germë pa pas te gjitha shkresat e lëndës në posedim”, tha avokati Gashi.

Fjalën e avokatit Gashi, e ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Daut Haradinaj, avokati Kujtim Kerveshi dhe i njëjti ka kërkuar se në qoftë se prokuroria ka prova elektronike për to duhet të ofrohet autenticiteti i burimit të tyre.

“Po ashtu ju njoftojmë se nuk janë përmbushur kushtet për këtë shqyrtim gjyqësorë vetëm që po ju drejtohem me kërkese që këto prova të na ofrohen në afat të mjaftueshëm kohor e në veçanti në qoftë se prokuroria ka prova elektronike duhet te na ofrohet autenticiteti i burimit të provës”, tha avokati Kerveshi.

Ndërsa, e akuzuara Shqipe Pantina tha se për këtë çështje ajo është njoftuar vetëm pasi që ka aplikuar për dokumentin që e njëjta nuk është nën hetime.

“Kur kam shkua me kërkua një dokument që nuk jam nën hetime pra janë 5 vite që unë si qytetare tash jo si deputete nuk munden me realizua asnjë të drejtë tjetër, përfshi të drejtën  ne punësim ne institucione publike për shkak se gjyqësori në këtë rast  i gjithë sistemi me mban në hetime 5 vite për një vepër të cilën unë nuk jam as e njoftuar”, tha e akuzuara Pantina.

Sipas aktakuzës fillestare të ngritur me 15 mars 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri po akuzohen se pas një mosmarrëveshje në bashkëkryerje së bashku me Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj, Haxhi Shala dhe Fisnik Ismajli kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ndërsa, sipas aktakuzës së precizuar më 13 mars 2018, për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 akuzohen vetëm Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri.

Arrestimi i Albin Kurtiti nga Policia e Kosoves

Aktakuza thotë se, derisa të dëmtuarit zyrtarët policor Ifus Xhemajli, Agron Haziri, Mehdi Kozhani, Rifat Gashi, Ali Berisha, Burim Gjoshi, Shaban Beqiri, Artan Osmani, Xhavit Selimi, Faik Mehmeti, Xhemjal Abdullahu, Rafet Ibishi, Irfan Haziri, Iliri Selimi, Nazmi Kastrati dhe Faik Kraniqi i’a kanë kumtuar lajmin Albin Kurtit “jemi Policia e Kosovës dhe se duhet të shoqërohesh me ne deri në stacionin policor, sipas urdhrit për urdhër arrest të 17 nëntorit 2015 të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda”

Tutje, në aktakuzë thuhet se përderisa këta policë po tentonin ta arrestonin Albin Kurtin, të akuzuarit e lartcekur e kanë futur Albnin në mesin e tyre dhe me këtë veprim ja kanë pamundësuar personave zyrtar shoqërimin e tij tek organet kompetente.

Me këtë, Rexhep Selimi, Lah Brahimaj, Zafir Berisha, Ramush Haradinaj, Shqipe Pantina, Time Kadrija, Daut Haradinaj dhe Visar Imeri po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore