Lajme

Dështon autopiloti i Tesla-s, dy të vdekur


Dy persona kanë vdekur pasi një makinë Tesla, e cila besohet se ka qenë në funksionin e autopilotit, u përplas me një pemë dhe shpërtheu në flakë.

“Askush nuk ishte në timon”, deklaroi rreshterja Cinthya Umanzor, e cila ishte në vendngjarje.

Modeli S i Tesla-s i vitit 2019, ishte duke udhëtuar me shpejtësi të lartë kur nuk mori dot në mënyrë korrekte kthesën. Kjo ka shkaktuar përplasjen me një pemë dhe shpërthimin e mjetit në flakë, duke rezultuar në vdekjen e dy personave.

Pas shuarjes së flakëve, është bërë edhe nxjerrja e trupave nga automjeti. Një prej tyre ndodhej në sediljen e pasagjerit përpara, ndërsa tjetri në pjesën e pasme të makinës.

Nga kompania amerikane e automjeteve ndërkaq, nuk ka ende një deklaratë mbi ngjarjen.

Në muajt e fundit, janë raportuar disa aksidente, për shkak të funksionit të autopilotit në makinat Tesla.

Janë 27 hetime të hapura nga kompania e automjeteve për çështje të tilla.

Themeluesi i Tesla-s ndërkaq, Elon Musk, ka parashikuar më parë fitime të mëdha të kompanisë nga sistemi i vetëdrejtimit të mjetit. Ai gjithashtu është shprehur shumë i bindur se sistemi do të funksionojë.

Pavarësisht kësaj, tri ngjarje të ngjashme kanë ndodhur në muajt e fundit. Këto kanë ngritur dyshime mbi sigurinë e drejtimit të mjetit pa shofer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore