Lajme

Dështojnë Macron dhe Le Pen


Rezultatet e para tregojnë që presidenti Emmanuel Macron dhe kundërshtarja e tij Marine Le Pen nuk kanë arritur rezultatet e pritura në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale në Francë.

Partia e qendrës së Macron pritet t’i marrë më shumë se 10% të votave – mjaftueshëm sa për të marrë pjesë në raundin e dytë që zhvillohet javën tjetër.

Edhe partia e ekstremit të djathtë e Le Pen ka dështuar në raport me pritjet. Të dy palët janë prapa partisë konservatore, asaj Republikane.

Pritej që partia me të cilën udhëheq Le Pen të ishte e para në këtë raund dhe t’i fitojë zgjedhjet rajonale për të parën herë. Mirëpo, sipas projeksioneve fillestare, ajo do të dalë e dyta.

Megjithëse nuk garon në asnjë rajon, Le Pen i ka prirë kampanjës. Ajo e ka përshkruar daljen e ulët në votime – rreth 66% e votuesve kanë abstenuar – si “katastrofë qqytetare”.

Ajo madje e ka akuzuar qeverinë se me paaftësinë e saj ka dështuar të krijojë besim tek politika.

“Le të mos harrojmë që këto zgjedhje kanë shënuar nivele historike të abstenimit qytetar, për shkak të mosbesimit në sistemin zgjedhor, që i bën qytetarët të mendojnë se asgjë nuk mund të ndryshojë”, theksoi ajo.

Votuesit po zgjedhin këshillat për 14 rajonet franceze, zgjedhje në të cilat garojnë 15,700 kandidatë, për 4,100 ulëse.

Exit Poll-i i realizuar nga Ipsos tregon që Republikanët e kanë fituar raundin e parë me 27% dhe se pas tyre janë Nacionalistët me 19%. Të Gjelbrit, Socialistët dhe partia e Macron, të gjithë janë në shifrën 11%.

Kjo është e para herë që partia e presidentit Macron merr pjesë në zgjedhjet rajonale, meqë herën e fundit që ishin mbajtur ato, më 2015, ajo nuk ekzistonte.

Zgjedhjet rajonale franceze ishin shtyrë për tre muaj për shkak të pandemisë. Raundi i dytë do të mbahet më 27 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore