Sport

“Dështimi Reja”, nuk solli asgjë të re në stolin kuqezi


Edoardo Reja u vendos në krye të Kombëtares së Shqipërisë më 17 prillin e vitit 2019. Trajneri italian me një eksperiencë të madhe në Serie A dhe më gjerë, kishte që nga qershori i vitit 2016 që nuk drejtonte asnjë skuadër, që nga largimi nga stoli i Atalanta-s.

Ish-trajneri i Lazio, Napoli, Cagliari, Torino, Genoa, Bologna e shumë skuadrava të tjera vendosej në krye të stolit kuqezi me synimin për të përsëritur triumfin e bashkëkombasit të tij, Gianni de Biasi.

Ky i fundit arriti të dërgonte për herë të parë kuqezinjtë në një kompeticion madhor si Kampionati Evropian, Euro 2016.

Ndaj dhe synimi i vendosjes së Reja-s ishte të arrinte “majat” me Shqipërinë, pas një periudhe të disi të errët nën drejtimin e Christian Panucci.

76-vjeçari kishte për detyrë të menaxhonte dhe përmirësonte grupin kuqezi. Por, ai ashtu si paraardhësi i tij dështoi. Reja nuk mundi ta dërgonte Shqipërinë në Euro 2020, duke përfunduar në vendin e katërt në grupin kualifikues.

Po ashtu dështim konsiderohet dhe paraqitja në Ligën e Kombeve. Me Rusinë e përjashtuar dhe me Izraelin e Islandën në grup, Shqipëria nuk shkoi më shumë se vendi i tretë (Rusia u vendos automatikisht e katërta pas përjashtimit nga UEFA dhe FIFA).

Shqipëria e mbylli fushatën në Ligën e Kombeve me dy humbje përballë Izraelit dhe dy barazime përballë Islandës.

Kombëtarja shqiptare deri më tani është drejtuar në 34 ndeshje në të gjitha garat nga trajneri Reja. Mesatarja e pikëve të marra me në krye të stolit 76-vjeçarin ka qenë 1.38 pikë.

Në fakt, kjo mesatare pikësh është ndër më të ultat e karrierës së trajnerit italian. Më keq ai ka bërë në krye të Atalanta (1.17 pikë), Catania (1 pikë), Genoa (0.8 pikë), Vicenza (1.36 pikë), Lecce (0.89 pikë) dhe Verona (1.21 pikë).

Ndërsa, rekordi më i lartë i pikëve mesatare që ka arritur një skuadër nën drejtimin e Reja-s ka qenë dy. Një statistikë të tillë, italiani e ka arritur në 13 ndeshje nën drejtimin e Hajduk Split dhe në 30 ndeshje në krye të Cagliari-t.

Për t’u rikthyer të 34 ndeshjet e Reja-s në krye të stolit kuqezi, Shqipëria ka arritur të marrë 13 fitore, tetë barazime dhe 13 humbje. Kuqezinjtë kanë shënuar 41 gola dhe kanë pësuar 40.

Tekniku ka përdorur disa skema gjatë drejtimit të Shqipërisë: 3-5-2, 4-3-1-2, 5-3-2, 5-4-1, 3-4-1-2, 3-1-4-2 dhe 4-3-3.

Por, ajo që bie më shumë në sy sesa skemat, janë formacionet me lojtarë të ndryshëm.

Në katër ndeshjet e luajtura në Ligën e Kombeve për këtë sezon, Reja nuk ka përdorur asnjëherë të njëjtët lojtarë në formacion. Ardjan Ismajli, Ivan Balliu dhe Amir Abrashi janë tre lojtarët e vetëm që kanë luajtur nga minuta e parë të katër ndeshjet.

Aventura e Reja-s në stolin kuqezi filloi me një humbje 1-0 ndaj Islandës në kualifikueset e Euro 2020 dhe mund të mbyllet me barazimin 1-1 ndaj Islandës në Ligën e Kombeve.

76-vjeçari ka kontratë deri më 31 dhjetor të këtij viti me Shqipërinë, ndërsa zërat për largimin e tij janë shtuar.

Ndër emrat që qarkullon më shumë për të kaluar në krye të stolit kuqezi është ai i Vladimir Petkovic. 59-vjeçari gjithashtu me një karrierë të pasur, ka arritur të kualifikojë Zvicrën në Euro 2016, 2020 dhe në Kupën e Botës 2018.

Si për ironi të fatit, Petkovic ishte në krye të Lazio-s para se të kalonte te Zvicra më 4 janar 2014. Në atë kohë ai zëvendësohej nga Reja, teksa tashmë mund të jetë Reja që zëvendësohet nga Petkovic.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore