Lajme

Dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj: Ata po mbahen peng nga Specialja


Elmedina Ballazhi

Gazetarja Elmedina Ballazhi, dëshmitarja e dytë gjatë ditës së enjte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ka rrëfyer për rastin e filmimit të një veture pranë organizatës në të cilën sipas saj ishin personat që i kishin sjellë dosjet.

Ballazhi, gjatë dëshmisë së saj ka thënë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po mbahen padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe sipas saj dosjet kanë rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Unë këta dy persona nuk i quaj të akuzuar, po mbahen padrejtësisht këtu për të vetmen arsye se rrjedhja e dokumenteve ka ndodhur vetëm nga zyra e ZPS-së, ata po mbahen peng”, ka thënë Ballazhi.

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati

Dëshmitarja në rastin Gucati-Haradinaj, ka thënë se me 16 shtator derisa ishte duke kryer punën si gazetare në Prishtinë, pranë zyrës së OVL-UÇK kishte parë një veturë nga e cila kishte dalë një person me disa paketa të cilat sipas saj i kishte dërguar në zyrat e organizatës.

“Personi që doli nga vetura ishte mashkull dhe ishte veshur me rroba sportive, maskë dhe kapele dhe kishte pako në duar”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, pas pak minutash personi kishte dalë duke vrapuar nga objekti ku ndodhen zyrat e organizatës.

Ndryshe gjatë ditës së enjte si dëshmitare në rastin Gucati-Haradinaj është dëgjuar edhe asistentja teknike e OVL-UÇK-së, Aida Miftari, e cila kishte rrëfyer për ditën kur në zyrat e OVL-UÇK-së ishin dërguar disa pako për të cilat thuhej se ishin dokumente të Speciales.

Miftari, ka bërë të ditur se pakoja me dokumente për herë të parë ishte dërguar me shtatë shtator rreth orës 10:00 të mëngjesit në zyrën e OVL-UÇK-së.

“E kamë parë një njeri të panjohur në korridor të cilit nuk ia kamë dalluar fytyrën, e la pakon dhe më tha ‘jepja atij që flet në televizion’”, ka thënë Miftari.

Aida Miftari

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore