Lajme

Dëshmitari: Një person i maskuar sulmoi autobusin


Policia e Kosovës ende nuk ka lëshuar një version zyrtar për sulmin ndaj një autobusi në fshatin Gllogjan të Komunës së Deçanit, ku mbetën të vdekur tre persona, porse kryetari i fshatit, Mustafë Selmanaj, deklaron ta ketë parë sulmuesin, i cili shtiu me armë zjarri.

Selmanaj, në një prononcim për Televizionin 7 në Kosovë, thotë se një person ka sulmuar autobusin me armë.

Siç deklaroi ai, kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, “një njeri me maskë ka qenë dhe i ka dalur përball autobusit”.

Ai person, thotë Selmanaj, “ka gjuajtur me armë zjarri”.

“Autobusi ka qenë ndër rrugë, shoferi ka qenë i vdekur. Ngjarja ka ndodhur afër shkollës së Gllogjanit mes Shaptejt dhe Gllogjanit”, shtoi ai.

I pyetur se a ka ndonjë informacion për motivet që çuan deri te sulmi tragjik, Selmanaj deklaron se ende askush nuk di gjë.

“Është krejt e pakuptueshme, kush është ai njeri që mund të ketë motiv në vrasjen e fëmijëve”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës, në prononcim për media ka refuzuar të flas në detaje për hetimet në këtë fazë, pasi ka thënë se mund të dëmtohen ato.

Ai shkarazi ka përmendur se hetimet po zhvillohen dhe se ka të dyshuar, porse është shumë herët të flitet për momentin.

Nuk ka treguar as nga sa armë ka pasur të shtëna, sasinë e të shtënave dhe detaje të tjera, kur është pyetur nga gazetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore