Lajme

Derek Chauvin pritet të deklarohet fajtor për shkeljen e të drejtave civile të George Floyd


Derek Chauvin

Derek Chauvin, ish-oficeri i policisë në Minneapolis, duket se është në prag të pranimit të fajit për shkeljen e të drejtave civile të George Floyd.

Lajmi është bërë i ditur nga një njoftim i dërguar të hënën nga sistemi elektronik i dosjeve të gjykatës.

Deklarata federale tregon se një seancë është caktuar për të mërkurën për Chauvin për të ndryshuar deklarimin e tij aktual të pafajësisë në këtë rast. Këto lloj njoftimesh tregojnë se një i pandehur po planifikon të pranojë fajin.

Një grup i vogël njerëzish duke marshuar pasi ish-oficeri i policisë në Minneapolis Derek Chauvin u dënua me 22.5 vjet burg për vrasjen e George Floyd, 25 Qershor 2021

Chauvin është dënuar tashmë për akuza për vrasje shtetërore dhe vrasje nga pakujdesia për shtrëngimin e qafës së Floyd-it me gjurin e tij, edhe pasi afriko-amerikani i tha se nuk mund të merrte frymë. Kjo ndodhi gjatë arrestimit më 25 maj 2020. Ish-oficeri në qershor u dënua nga gjykata e Minnesota-s me 22 vjet e gjysmë burg.

Arrestimi dhe vdekja e Floyd-it, të cilën një kalimtar i rastit e kapi në video me celular, ndezi protesta masive në mbarë vendin, që kërkonin t’i jepet fund pabarazisë racore dhe keqtrajtimit policor të njerëzve me ngjyrë.

Chauvin dhe tre ish-oficerë të tjerë – Thomas Lane, J Kueng dhe Tou Thao – do të dilnin në gjyq në fund të janarit me akuza federale ku pretendohej se ata kishin shkelur me dashje të drejtat e Floyd.

Ish-oficerët e policisë së Minneapolis J. Alexander Kueng, Thomas Lane dhe Tou Thao.

Informacioni i dërguar të hënën nuk jep asnjë tregues se oficerët e tjerë, përveç Chauvin, synojnë të pranojnë fajësinë.

Sipas provave në çështjen shtetërore kundër Chauvin-it, Kueng-i dhe Lane ndihmuan në frenimin e 46-vjeçarit Floyd ndërsa ai ishte në tokë – Kueng u gjunjëzua në shpinë të Floyd dhe Lane i mbajti këmbët Floyd-it. Thao ndaloi kalimtarët dhe i mbajti ata të mos ndërhynin gjatë shtrëngimit, që zgjati nëntë minuta e gjysmë.

Më shumë se 20 herë, Floyd përsëriti se nuk mund të merrte frymë. Ai u shpall i pajetë një orë më vonë në spital.

Derek Chauvin

Të katër oficerët u akuzuan në gjykatën federale për privimin e Floyd-it nga të drejtat e tij, ndërsa vepronin nën autoritetin e qeverisë.

Një akuzë kundër Chauvin pretendoi se ai shkeli të drejtën e Floyd për të qenë i lirë nga sekuestrimi i paarsyeshëm dhe nga forca e paarsyeshme nga një oficer policie.

Nuk dihet nëse Chauvin planifikon të pranojë fajësinë për të gjitha ose vetëm për disa nga akuzat federale kundër tij në lidhje me vdekjen e Floyd-it.

Chauvin akuzohet gjithashtu në një aktakuzë të dytë, që rrjedh nga përdorimi i forcës dhe shtrëngimi në qafë i një djali adoleshent në vitin 2017.

Ajo aktakuzë pretendon se Chauvin e privoi djalin e atëhershëm 14-vjeçar, i cili ishte me ngjyrë, nga e drejta e tij për të qenë i lirë nga forca e paarsyeshme, kur ai e mbajti nga fyti.

Më pas e goditi në kokë me një elektrik dore dhe e mbajti gjurin e tij në qafën dhe pjesën e sipërme të shpinës së djalit, ndërsa ai ishte i shtrirë, i lidhur me pranga dhe nuk po bënte rezistencë.

Tre oficerët e tjerë u akuzuan gjithashtu në gjykatën shtetërore për ndihmë e nxitje për vrasje dhe vrasje. Për ata është planifikuar të shkojnë në gjyq për çështjen shtetërore në mars të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore