Sport

Derbi në Kupë me Dinamon, Shehi: Duhet përqendrim dhe vlerësim maksimal


Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ka folur për mediat në prag të sfidës me Dinamon në Kupën e Shqipërisë.

Tirana dhe Dinamo përballen këtë të mërkurë në ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës së Shqipërisë.

Ndeshja do të luhet në 16:45 në stadiumin “Air Albania”.

Për Shehin, ndeshja me Dinamon është e rëndësishme për historinë dhe përbërjen që kanë të dy ekipet. Ai vlerëson lojtarët që ka në përbërje Dinamo.

“Është e rëndësishme ndeshja ndaj Dinamos për historinë dhe përbërjen. Kemi përballë një skuadër shumë të fortë me individë shumë cilësorë”, tha tekniku bardheblu.

“Duhet përqendrim dhe vlerësim maksimal, duke parë historinë dhe cilësinë që ata kanë brenda”.

“Problem quaj dëmtimin e Ismajlgecit e di që kam mungesë Tolin dhe Ngonë për shkak të kartonëve, por mungesa e Ismajlgecit na shton problemet. Ky është problemi që unë kam dhe jo merkato, sepse është diçka që zgjidhet”, shtoi 44-vjeçari.

“Ndoshta Dinamo nuk ka rezultatet që ato presin, janë një skuadër e re, por me lojtarë me eksperiencë”.

“Me lojtarë që të bëjnë dëm në çdo moment. Shkalla e vështirësisë është njëjtë si me Dinamon, si me çdo skuadër tjetër”.

“Duhet të hyjmë në fushë me mentalitetin për të bërë më të mirën. Favorit në letër unë mendoj se është një gënjeshtër, sepse është historia brenda, është derbi, është kualiteti i lojtarëve, dhe kurrsesi nuk duhet të hyjmë si favorit”, përfundoi Shehi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore