Lajme

Deputeti suedez kritikon BE-në për mos liberalizimin e vizave në Kosovë, kërkon angazhim edhe nga Suedia


Deputeti Suedez, Magnus Jacobson, gjatë një fjalimi në Parlamentin e Suedisë, e ka kritikuar Bashkimin Evropian për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

Sipas tij Suedia dhe BE- janë duke luajtur një rol pasiv në angazhimin e kësaj çështjeje. Ai theksoi se Kosova duhet të ketë liberalizim të vizave sikur të gjitha vendet tjera të Ballkanit.

“Është për t’u habitur që Suedia dhe BE-ja luajnë një rol kaq pasiv në këtë punë. Ne duhet të bëjmë më shumë për të forcuar paqen në Ballkan. Unë kam theksuar më parë nevojën që Kosovës t’i jepet i njëjti përjashtim nga vizat si vendet e tjera të Ballkanit. Ne gjithashtu duhet të punojmë në mënyrë aktive për të zhvilluar shoqërinë civile dhe biznesin në të gjithë Ballkanin”, ka thënë Jacobson.

Tutje ai përmendi edhe marrëveshjen e Washingtonit të cilën e quajti të mirë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij kjo zhvillohet përmes tregtisë.

“Qeveria e mëparshme e SHBA-së nënshkroi një marrëveshje tregtare dhe zhvillimi me Kosovën dhe Serbinë me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet midis këtyre vendeve. Kjo është mirë pasi paqja zhvillohet gjithmonë përmes tregtisë dhe marrëdhënieve”, tha ai.

Po ashtu ai ka theksuar se nëse shtetet perëndimore nuk e mbështesin Kosovën në një drejtim demokratik, atëherë “ekziston rreziku që regjimet totalitare në Rusi dhe Turqi të rrisin ndikimin e tyre në rajon”.

“Vendet nordike dhe të BE-së tregojnë se tregtia e lirë është një mënyrë e mirë për të krijuar një paqe afatgjatë. Prandaj shpresoj që ne në Suedi, së bashku me BE-në, do të bëjmë më shumë për t’i sjellë të gjitha vendet në Ballkan më afër BE-së dhe se do të përmirësojmë më tej kushtet për tregti, shkëmbime studentësh dhe kontakte midis shoqërisë civile”, ka thënë Jakobson.

Sipas tij, për paqe dhe liri “gjithmonë ia vlen të luftosh”, kështu që ai u bënë thirrje Suedisë dhe BE-së që të luftojnë më shumë për të forcuar paqen në Ballkan, e cila në planin afatgjatë “do t’u mundësojë të gjitha vendeve të njohin sovranitetin e njëri – tjetrit”.

Këtë fjalim e ka publikuar në faqen zyrtare të tij, në Facebook, këshilltari i kryetarit të AKR-së, Naim Murseli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore