Lajme

Deputeti Shala për kandidaturën e Osmanit: PDK nuk përkrahë dikë që nuk përfaqëson unitet politik


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, lidhur me kandidaturën për postin e presidentes nga ana e deputetes, Vjosa Osmani, për Albanian Post ka thënë se PDK-ja nuk bën kompromise kur janë në çështje kandidatët që nuk përfaqësojnë unitet politik.

“Ne e kemi shprehur edhe më parë qëndrimin tonë si parti dhe si këshill drejtues, ne ende e kemi qëndrimin e njëjtë, Osmani nuk përfaqëson personalitetin e unitetit”, ka thënë Shala.

Arsyeja kryesore sipas tij që kandidatja për presidente, Osmani, nuk e ka përkrahjen nga kjo parti jo vetëm për shkak të mungesës së shprehjes së unitetit brenda subjektit politik që nuk e kanë parë tek ajo por edhe për arsyen që sipas Shalës, ajo në asnjë rast nuk ka përçuar gjuhë unifikuese dhe bashkuese të spektrit politik.

Sipas tij, Osmani në asnjë rast nuk ka përçuar gjuhë unifikuese dhe bashkuese të spektrit politik.

Ai tutje theksoi edhe intervistën e fundit të Osmanit me mediume ndërkombëtare.

“Ajo në intervista ka qenë shumë e ashpër dhe kritike për shtetin e vet”, përfundoi Shala.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës, më 29 mars pritet të mbledhë kryesinë e partisë ku temë kryesore pritet të jetë çështja e presidentit dhe qëndrimi i këtij subjekti politik ndaj kandidaturës së deputetes dhe njëherësh pretenduese për këtë post, Vjosa Osmani.

Këtë lajm e ka bërë të ditur deputeti nga radhët e LDK-së, Anton Quni.

“Të hënën e kemi një mbledhje të kryesisë, është temë që është ka debatohet brenda strukturës, qëllimi jonë është që cilido vendim që do e dimë do ta ruajmë unitetin e LDK-së të grupit parlamentar, sepse kemi pasur përvoja që kemi pas ndryshe. Nuk kemi ende një përgjigje definitive ende po e debatojmë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se përveç takimit brenda kryesisë së kësaj partie, së shpejti do të mbahet edhe një takim me Osmanin.

““Është realizuar një takim dhe sipas njoftimeve do të ketë edhe një takim të radhës”, shtoi Quni në një intervistë për T7.

Mbledhja do të mbahet në ora 16:30 në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore