Lajme

Deputeti Shaip Kamberi i dhuron “dije” Vuçiçit e Bërnabiqit


Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka dhuruar nga një kopje të librit “Shqiptari imagjinarë – Simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit dhe në kulturën serbe” i autorit Aleksandar Pavloviq, kryeministres Ana Brnabiq dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq.

Për Albanian Post, deputeti Kamberi tha se libri: “Shqiptari imagjinarë – Simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit dhe në kulturën serbe” nuk është një libër që i shërben ideologjisë dhe politikës serbe në kuptimin që edhe më tej të jenë paragjykues ndaj shqiptarëve. Ai tha “është libër që e sqaron se si janë ndërtuar stereotipet dhe paragjykimet ndaj shqiptarëve, sidomos në periudhën nga mesi i shekullit XIX-të. Pra, kur ka fillua rënia e Perandorisë Osmane dhe fillimi i aspiratave serbe për territoret që do t’i lejë prapa Perandoria Osmane, në këtë rast Kosovën si territor”.

Më tej deputeti Kamberi shprehet se libri në fjalë nuk e mendon vet shqiptarin, por e sqaron historikisht se çfarë kanë qenë raportet mes shqiptarëve dhe serbëve. “Deri në pjesën e parë të shek.XIX ai thotë se kultura, historiografia dhe politika serbe, shqiptarët i kanë trajtuar si heronj, luftëtarë, si persona që e mbajnë fjalën, por kur shihet se Perandoria Osmane po bie, rriten paragjykimet se shqiptarët janë popull i egër në mënyrë që ta arsyetojnë okupimin e Kosovës”.

Në pyetjen e Albanian Post se a ka ndonjë dallim nga politika aktuale serbe në raport me atë se si është parë shqiptari gjatë pjesës së dytë të shek.XIX, deputeti Kamberi thotë se pikërisht për këtë çështje iu ka dhuruar librin edhe kryeministres edhe presidentit. “Para dy jave në mbledhjen e Parlamentit ku ishte prezent edhe Qeveria e kam bërë një kërkesë që të hiqet gjuha e urrejtjes nga fjalori i zyrtarëve, sidomos ministrave ashtu siç bënë ministri Vulin, dhe në kuadër të atij debati parlamentar i kam premtuar kryeministres Bernabiq se do t’ju dërgoj dhuratë një libër për të parë se cila është e vërteta për shqiptarët” u shpreh ai.

Politika serbe nuk do të reflektoj edhe pas pranimit të dhuratës modeste: “politika serbe nuk është e varur nga kjo dhuratë, por ajo është drejtpërdrejt e varur nga përfundimi i dialogut me Kosovën, respektivisht gjetja e zgjidhjes për një marrëveshje përfundimtare që po quhet marrëveshja detyrimisht e obligueshme.”

Përfaqësuesi shqiptar në Kuvendin e Serbisë tutje shprehet se sa herë që ofrohen zgjedhjet në Serbi, ashpërsohet retorika ndaj shqiptarëve, sidomos ndaj Kosovës “Meqë tema e Kosovës për decenie të tëra i shërben për eksploatim politikës së brendshme për të pasur me vete elektoratin nacionalist dhe ultra nacionalist.” Për Albanian Post, deputeti Kamberi u shpreh se një stabilitet mes shqiptarëve dhe serbëve varet drejtpërdrejt nga definimi i marrëveshjes përfundimtare me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore