Lajme

Deputeti pro serb kërcënon Gjukanoviç-in: “Do të ketë konflikt në Mal të Zi nëse nuk e mandaton Lekiç-in”


Predrag Bulatoviç, nga formacioni pro serb në Mal të Zi ‘Fronti Demokratik (DF)’, ka vlerësuar se do të ketë konflikt në Mal të Zi, sepse sipas tij, presidenti malazez Milo Gjukanoviç, “po dëshiron të mbajë pushtetin me dhunë”.

“Ne mund të futemi në përçarje dhe konflikte. Mbrojtja e rendit kushtetues është e shenjtë për DF-në”, u shpreh ai.

Bulatoviç deklaroi se Presidenti po mundohet të mashtrojë opinionin dhe se ai nuk e ka respektuar Kushtetutën.

“Krerët e DF-së nuk u ftuan në konsultime. Dhe kjo mjafton për të ditur se Milo Gjukanoviç ka shkelur kushtetutën”, tha ai duke folur për vendimin e këtij të fundit që t’i shkurtohet mandati Parlamentit, pas dështimit të formimit të një qeverie të re nga ana e shumicës së vjetër parlametnare.

Kjo është arsyeja pse DF filloi procedurën për shkarkimin e Gjukanoviç-it, për të shqyrtuar nëse ai ka shkelur Kushtetutën.

“Është gënjeshtër se janë kërkuar nënshkrime. Kemi një shumicë të qartë parlamentare prej 41 deputetësh dhe ky është vullneti i popullit. Askush që është pakicë nuk mund t’i heqë të drejtën për të zgjedhur Qeverinë”, shtoi Bulatoviç, i cili drejtoi fushatën pro bashkimit me Serbinë në referendumin e vitit 2006.

Nëse Gjukanoviç dëshiron paqe dhe stabilitet në Mal të Zi, shtoi ai, ai do t’i japë mandatin Miodrag Lekiç-it.

“Nëse doni paqe dhe stabilitet në Mal të Zi, jepini mandatin Miodrag Lekiç-it. Ne i kërkojmë Gjukanoviç-it të mos ngrejë tensione, sepse ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet”, theksoi ai, transmeton mediumi malazez ‘Analitika’.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, më 20 shtator ka propozuar shpërndarjen e Parlamentit malazez.

Ai i ka dërguar një propozim kryetarës së Parlamentit, Danijela Gjuroviç, që t’i shkurtohet mandati legjilsativit, pas dështimit të formimit të një qeverie të re nga ana e shumicës së vjetër parlametnare.

Në sqarimin e tij, Gjukanoviç ka theksuar se më 15 dhe 16 shtator të këtij viti ka mbajtur konsultime për të zgjedhur një mandatar për përbërjen e qeverisë me përfaqësuesit e partive parlamentare, përkatësisht koalicioneve të përfaqësuara në Kuvendin e Malit të Zi.

Ai pohon se përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF), Malit të Zi Demokratik (DEM), Partisë Popullore Socialiste (SNP) dhe Lëvizjes Qytetare URA, nuk iu përgjigjën thirrjes për takim.

“Besoj se kjo është zgjidhja më e mirë në situatën e caktuar politike dhe se është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, sepse hap mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur, të cilat do të mundësojë zgjedhjen e një qeverie që do të veprojë me kapacitet të plotë”, kishte deklaruar ai.

Kryetari i partisë malazeze ‘Aleanca Demokratike (Demos)’ nga formacioni politik ‘DF’, Miodrag Lekiç, ishte zgjedhur mandatar për të formuar qeverinë e re të Malit të Zi bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore