Lajme

Deputeti i LDK-së, Vetëvendosjes: Ndaleni shantazhin, ose e rikonsiderojmë vendimin tonë


Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në një konferencë për media ka thënë se është aty për t’i bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndalin në mënyrë të menjëhershme çdo presion dhe tentim shantazhi ndaj LDK-së, veçanërisht ndaj tre deputetëve.

“Ata janë deputetë të LDK-së, e kanë mirëkuptimin e plotë të kryetarit dhe LDK-së për veprimet e tyre. Ne jemi vend demokratik dhe bindjet ushtrohen në mënyrë demokratike”, ka thënë Gashi.

Tutje ai ka theksuar se ajo çfarë ka bërë kryetarja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila duke kërcënuar e shantazhuar deputetët nga LDK se ata janë fajtorë për mos zgjedhjen e presidentes “është e papranueshme dhe e patolerushme”.

“Nëse ata vazhdojnë me këtë mentalitet të shantazhit dhe kërcënimit, ne do të rikonsiderojmë veprimin tonë”, shtoi Gashi.

Po ashtu, ai ka treguar se LDK-ja do të marrë pjesë në seancë, mirëpo qëndrimi i deputetëve, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Agim Veliu do të mbetet i njëjtë.

Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedh presidentin e vendit.

Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve.

Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë.

Për t’u zgjedhur presidenti/ja – në raundin e parë dhe të dytë – duhen 80 vota. Nëse nuk arrihet kjo shifër, kalohet në raundin e tretë, ku presidenti/ja zgjedhet me shumicë të thjesht prej 61 votash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore