Lajme

Deputeti i LDK-së dhe Drejtori i Infektives japin dorëheqje nga bizneset private


Besian Mustafa dhe Arben Vishaj.

Agjencia Kundër Korrupisionit, ka detyruar deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa dhe Drejtorin e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Visahj, që të japin dorëheqje nga pozitat në biznese private.

Të dy rastet thuhet se janë mbyllur tashmë, por Agjencia ka paralajmëruar se mund të hapen në cdo kohë, në rast se paraqiten rrethana të reja.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, përveç që ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës ka ushtruar edhe funksionin e Drejtorit dhe Përfaqësuesit të Autorizuar në Biznesin “Gainsight Services” SH.P.K.

Agjencia kundër Korrupsionit kishte filluar hetimet për konflikt të mundshëm interesi.

Mustafa, kishte deklaruar se biznesi në fjalë është pasiv, por se do të ndërmarrë menjëherë veprime për ta shmangur një gjendje të tillë.

“Pas diskutimit dhe ballafaqimit të fakteve, zyrtari i lartë z.Besian Mustafa është pajtuar me gjetjet e Agjencisë, duke deklaruar njëherit se biznesi në fjalë është pasiv dhe se nuk zhvillon ndonjë aktivitet, por gjithsesi do të ndërmarr veprime të menjëherëshme dhe konkrete në mënyrë që të shmang papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik”.

Dokument i lëshuar nga Agjencia kundër Korrupsionit.

“Ndërkohë, Agjencia ka pranuar shkresën zyrtare, me të cilën dëshmohet se zyrtari i lartë z.Besian Mustafa ka bërë ndryshimet e kërkuara nga Agjencia dhe se i njëjti nuk figuron më të jetë Drejtor e as Përfaqësues i Autorizuar në biznesin privat “Gainsight Services” SH.P.K”, thuhet në vendimin e AKK’së.

Mustafa e ka mbyllur rastin, por Antikorrupsioni thotë se mund të rihapet në çdo kohë, nëse paraqiten rrethana të reja.

“Mbyllet rasti me nr. AKK-DPKI-06-2591/21, për zyrtarin e lartë z.Besian Mustafa, Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, për shkak se është shmangur gjendja e papjtueshmërisë, përkatësisht konfliktit të interest në ushtrim të funksionit publik. Rasti mund të rihapet në çdo kohë, në rast se paraqiten rrethana të reja”, thuhet në vendim.

Dokument i lëshuar nga Agjencia kundër Korrupsionit.

Me situatë të ngjashme është përballur edhe Drejtori i Klinikës Infektive në Qendren Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Ai mbante pozitën e pronarit dhe personit të autorizuar në ordinancën private N.Sh “Infeksioni”.

“Pas pranimit të kësaj shkrese, është mbajutur takim me zyrtarin e lartë dhe është njoftuar se gjatë ushtrimit të funksionit si zyrtar i lartë publik, nuk mund të ushtroj edhe funksion menaxhues në biznesin privat, sepse kjo është e ndaluar me nenin 13 të Ligjit për parandalimine e konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.

Dokument i lëshuar nga Agjencia kundër Korrupsionit.

Ndërsa, kur agjencia e kishte njoftuar Vishajn se kjo situatë është e ndaluar sepse përbën konflikt interesi, ai ka deklaruar se s’ka pasur njohuri me kufizimet e parapara.

“Në ndërkohë, Agjencia ka pranuar njoftimin, informacionin zyrtar nga z.Arben Vishaj, Drejtor i Klinikës Infektive në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, me i cili na ka njoftuar se ka ndërmarr veprimet e nevojshme dhe ka hequr dorë nga të qenurit person i autorizuar në biznesin privat me emër N.SH “Infeksioni”.

Dokument i lëshuar nga Agjencia kundër Korrupsionit.

Ndryshe, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, një zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore