Shqipëria

Deputeti gjerman jep dorëheqjen pas skandalit të maskave


Deputeti i Unionit Kristian Demokrat (CDU), Nikolas Löbel, ditën e hënë, më 8 mars, konfirmoi dorëheqjen nga mandati i tij parlamentar.

Löbel njoftoi se ai do të hiqte dorë nga mandati i tij parlamentar me efekt të menjëhershëm dhe nuk do të kandidonte përsëri për Bundestag.

“Për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të partisë time, unë jam duke dhënë dorëheqjen nga mandati im në Bundestag me efekt të menjëhershëm”.

Dorëheqja Löbel-it erdhi pas një skandali në një marrëveshje mes qeverisë dhe kompanisë së tij.

Kompania e tij fitoi komisione prej 250 mijë eurosh për ndërmjetësimin e kontratave të shitjes për maska midis një furnizuesi në shtetin e Baden-Württemberg dhe dy ndërmarrjeve private në qytetet Mannheim dhe Heidelberg.

Ai më parë kishte njoftuar se do të hiqte dorë nga anëtarësimi i tij në grupin parlamentar të partisë së qendrës së djathtë. Gjithashtu, gjatë largimit, ai kërkoi falje.

Löbel konfirmoi të premten se ishte i përfshirë në biznese që merreshin me blerjen e maskave mbrojtëse kundër Covid-19.

2021 është një vit kritik për CDU-në, pasi në zgjedhjet që do të zhvillohen më 26 shtator do të përcaktojnë se kush do të pasojë kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore