Shqipëria

Deputetët e dorëhequr, KQZ miraton zëvendësuesit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), të premten e 10 shtatorit, ka miratuar zëvendësimin e mandateve të deputetëve, të cilët dhanë dorëheqjen nga posti i tyre.

Janë katër, deputetët që kanë dhënë dorëheqjen.

Nga radhët e Partisë Socialiste, i pari që u largua ishte Gramoz Ruçi, pasuar nga Najada Çomo dhe, në fund, Lefter Koka.

Ndërsa nga radhët e Partisë Demokratike u dorëhoq Mark Marku.

Sipas listës përkatëse, në bazë të shumatores së votave, Najada Çomo do të zëvendësohet me Mimi Kodhelin, Lefter Koka me Denis Deliun dhe Gramoz Ruçi me Mirela Pitushin.

Ndërsa Mark Marku do të zëvendësohet nga Elda Hoti.

Pas këtij vendimi të KQZ-së, emrat e tyre do të kalojnë menjëherë në Komisionin e Verifikimit të Mandateve të Deputetëve.

Ky komision – i cili u prezantua pas hapjes së punimeve zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë mëngjesin e 10 shtatorit – është i përbërë nga pesë deputetë nga maxhoranca dhe katër nga opozita.

Partia Socialiste do të përfaqësohet nga Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Aurora Maraj, Nasip Naço dhe Toni Gogu. Ndërsa Partia Demokratike nga Saimir Koreshi, Dhurata Çupi, Blerta Bardeli dhe Belind Këlliçi.

Kryetare do të jetë socialistja Klotilda Bushka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore