Lajme

Deputetët bojkotojnë përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së


Kuvendi i Kosovës.

Ka dështuar përzgjedhja e nëntë anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se në Kuvend janë vetëm 57 deputetë, duke mos u mundësuar krijimi i kuorumit të nevojshëm.

“Unë konstatoj se ky bojkot i një pjese të deputetëve është i qëllimshëm. Nuk ka kushte për t’u votuar Bord i RTK-së prandaj mendoj se duhet ta shtyjmë për një mbledhje tjetër”, deklaroi Konjufca.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) si dhe anëtar në komisionin e ad-hoc, Armend Zemaj, kishte propozuar emrat për bordin e ri të Radio Televzionit të Kosovës (RTK).

“Theksoj se për katër pozita për anëtar të bordit të RTK-së propozohen në votim tetë kandidat nga gjinia mashkullore, Driton Hetemi, Besnik Bolotini, Ejup Gojnovci, Safet Kabashaj, Bekim Sele, Petrit Qollaku, Enis Halimi dhe Gazmend Vitaku”.

Zemaj, bëri të ditur edhe emrat nga gjinia femërore prej tetë kandidatëve të propozuara për bord të RTK-së.

“Po ashtu, prej tetë kandidatëve të propozuara zgjedhim katër anëtar të bordit të RTK-së nga gjinia femërore, Fatime Lumi Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti, Jehona Demi-Sejdiu, Shukrije Rama, Mejreme Krasniqi-Sadiku, Mihane Tahiri, dhe Teuta Hoxhaj Morina”.

Deputeti, Armend Zemaj nga radhët e LDK-së.

Po ashtu në këtë seancë plenare është zgjedhur Abedin Azizi zëvendësdrejtor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU).

Në garë për këtë pozitë ishte Abedin Azizi dhe Gurakuq Kastrati të cilët janë propozuar nga komisioni funksional për Ekonomi për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës për pozitën e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

“Kuvendi përmes votimit të fshehtë e zgjedhë me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë. Kandidatët e propozuar janë: Abedin Aziz dhe Gurakuq Kastrati. Kandidati i cili fiton  shumicën e votave të deputetëve zgjidhet zëvendësdrejtor”, tha Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit.

Ai u votua në Kuvendin e Kosovës me 65 vota nga 78 deputetë që sa ishin në sallë.

Ndërkaq, kandidati tjetër, Gurakuq Kastrati mori 12 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore