Shëndet

Depresioni pas lindjes – si ta ndihmosh një nënë të re


Një pështjellim mendimesh.

Të lumtura, të frikësuara për atë çka i pret.

Një nga ndjesitë më të ngatërruara dhe të paemër. E kanë të pamundur ta përshkruajnë ndjesinë e të qenit një “nënë”.

Përjetimi i një nëne të re

Sofia Deljallisi ishte vetëm 19 vjeçe kur u bë nënë për herë të parë. Ajo nuk e përjetoi aspak mirë dhe, papritur, u përball me depresion.

“Mendoj se fillimisht nuk doja të pranoja se po dështoja, ose të paktën kështu ndihesha, kur ishte nevoja për të kërkuar ndihmë”, thotë ajo për Albanian Post.

“Ndihesha sikur nuk mund të bëja asgjë. S’ndihesha gati për t’u kujdesur për djalin tim. Stresi po kaplonte me forcë ditët pas lindjes, çdo gjë ndryshoi në rutinën time. Mendoja a isha e aftë dhe a po kujdessha mjaftueshëm për djalin tim…”

Një nënë tjetër, 24 vjeç, Sabi Cahanit, tregon për Albanian Post se si u ndje para dhe pas lindjes së vajzës së saj.

“Ndihesha e frikësuar për nisjen e jetës së re brenda meje. Përgjatë nëntë muajve, mendoja vetëm: a do jetë e shëndetëshme, a do më ngjajë mua apo tim shoqi?”

Në vijim, ajo thotë se, mendonte për çdo gjë, që nga rrobat e bardha të para, dhoma, ku nuk duhet të mungontë asgjë etj.

“Një lodhje, por edhe një kënaqësi. Përgjegjësia të rëndon mbi shpatulla sa e gjithë bota, ndihesh njeriu me ndjesitë më të ngatërruara”.

Por ajo që nuk e kishte menduar kurrë Cahanit, ishte ankthi dhe depresioni që u përball pas ardhjes në jetë të vajzës së saj.

Si shpjegohet depresioni pas lindjes?

Sipas një studimi të fundit, depresioni postpartum (depresioni pas lindjes), prek rreth 15-20% të grave.

Psikologia Jonida Haxhiu, përgjegjëse e sektorit mendor, shpjegon për Albanian Post se, “depresioni postpartum konsiderohet si një problem i shëndetit mendor”.

Haxhiu thotë se ai fillon që herët, që në nisje gjatë shtatzënisë dhe “më pas arrin kulmin pas lindjes së një fëmije”.

Pyetjes se cilat janë shenjat që dallohet ky lloj depresioni, psikologia i përgjigjet se më së shumti shfaqet në formën e melankolisë, por jo në pak raste merr forma të rënda, duke shtruar nevojën edhe për trajtim profesional.

Statistikisht vlerësohet 50-80% e femrave përjetojnë gjendje të melankolisë “pas lindjes”.

Depresioni pas lindjes mund të zgjasë deri një vit. Vihet re nga mungesa e kënaqësisë për fëmijën, por dhe zakonisht nga ndjenja të forta faji dhe vënie faji vetes, stres i fortë i shoqëruar me ndjenjë paaftësie, shpesh duke qarë.

Një arsye mund të jetë ndryshimi i madh që ndodh në jetën e dikujt me lindjen e një fëmije. Ky ndryshim nuk ka të bëjë vetëm me menaxhimin e punëve në jetën e përditshme, por edhe identitet si një e tërë.

Si mund të shmanget?

Haxhiu thotë se parandalimi ose shmangia e problemeve të tilla mund të arrihet duke u “përgatitur”. Për këtë ndryshim në jetën e individit, sikurse është sjellja në jetë e një fëmije.

Sot, në mbarë botën, janë të njohura grupet “prindër në pritje”, në mënyrë që të ndihmohen me informacione, këshilla, praktika, për menaxhimin me sukses të shtatzënisë.

Nevoja për informacion kujdes duhet të jetë në maksimumin e saj te gratë shtatzëna, përmbyll Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore