Shëndet

Depresioni i paslindjes, rrezik i heshtur


Shumë gra shtatzëna dhe nëna të reja i frikësohen depresionit pas lindjes. Duke dëgjuar histori tragjike si pasojë e tij, ata ndihen të shqetësuar për veten dhe foshnjën e tyre.

Depresioni dhe ankthi janë dy nga ndërlikimet më të zakonshme në shtatzani. Për më tepër thuhet se janë më të zakonshme se diabeti apo presioni i lartë i gjakut. Këto dy të fundit janë ndërlikime për të cilët mjekët kontrollojnë rregullisht pacientët.

Çuditërisht, shumica e mjekëve nuk i pyesin gratë shtatzëna për gjendjen e tyre shpirtërore. Në pjesën më të madhe të vendeve, një vlerësim i shëndetit mendor nuk është pjesë e kujdesit rutinë para lindjes. Si rezultat, shumica e grave shtatzëna që kanë nevojë për ndihmë për ankth ose depresion nuk kanë mundësinë ta marrin atë.

Depresioni dhe ankthi para lindjes janë po aq të zakonshëm sa depresioni pas lindjes. Ndaj zakonisht janë faktorët më të mëdhenj të rrezikut për depresionin pas lindjes.

Çfarë thonë studimet?

Universiteti Alberta në Kanada, bëri një hulumtim duke pyetur gra shtatzëna në lidhje me shëndetin mendor dhe mjekun e tyre.  Dhe rezultatet nuk ishin fort të dëshirueshme.

Rreth 53% e grave nuk do të ngrinin shqetësime në lidhje me shëndetin e tyre mendor tek mjeku. Kjo sepse nuk kishin informacion se cilat emocione janë “normale” dhe “jo normale” gjatë shtatzënësisë.

Ndërsa 67% nuk do të fillonin një bisedë psikologjike para lindjes sepse ndiheshin më mirë nëse të flisnin për shqetësimet e tyre me partnerin, mikun ose familjen e tyre e jo me mjekun përgjegjës.

Së fundmi, 44% thanë se nuk do të dëshironin të shiheshin si “të dëshpëruar” ose “të shqetësuar” nga mjeku i tyre dhe për këtë arsye nuk do të ndiheshin rehat duke ngritur çështje të shëndetit mendor më vete.

Pra si përfundim, shumë gra shtatzëna thjesht nuk do t’i tregojnë mjekut të tyre se po luftojnë me një gjendje ankthi.

Kush kishte më shumë gjasa të ndihej në këtë mënyrë?

Gratë që kishin përjetuar depresion ose ankth para se të mbeteshin shtatzënë. Me fjalë të tjera, ata që kanë rrezikun më të madh për depresion dhe ankth para lindjes.

Megjithatë, ajo që na befasoi ishte se 99.8% e grave thanë që nëse mjeku i tyre do të pyeste për shëndetin e tyre mendor, do të ishin të sinqertë! Ata do të ndiheshin rehat duke iu përgjigjur pyetjeve të mjekut të tyre.

Nga e gjithë kjo kuptojmë se është shumë e rëndësishme të kontrollojmë depresionin gjatë shtatzënësisë dhe të flasim pa frikë me mjekun përgjegjës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore