Shqipëria

Depozitohen materialet për komisionin “Dick Marty”


Janë depozituar gjashtë materiale, nga të cilat dy, sekrete shtetërore të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Ministrisë së Jashtme, në komisionin e posaçëm të ngritur për raportin e Dick Marty-t.

Anëtarët e komisionit në këtë pikë, duhet të pajisen me certifikatë sigurie, për të shqyrtuar dokumentet.

Deputeti Artur Roshi, pjesë e komisionit, ka kërkuar edhe thirrjen e komandantëve shqiptarë që kanë qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Është kërkuar edhe ardhja e atyre të thirrur në Hagë për të dëshmuar.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, ka theksuar gjatë mbledhjes se “Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar materialet e kërkuara nga komisioni”. Mësohet se Ministria e Punëve të Jashtme e ka dorëzuar materialin më 13 janar 2021. Më 20 janar e ka depozituar Ministria e Drejtësisë. Ndërkaq, ajo e Brendshme më 26 janar.

“Dy materiale të klasifikuara si sekret shtetëror janë depozituar në 15 janar”, shtoi Manja. “Njëri është nga SHISH-i dhe tjetri nga Ministria e Jashtme”.

Pse është me rëndësi raporti i  Dick Marty-t?

Gjithçka filloi në vitin 2010, kur politikani zviceran, Dick Marty, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkroi një raport ku denonconte trajtimin çnjerëzor dhe vrasjen e të burgosurve në Kosovë dhe Shqipëri, gjatë luftës çlirimtare.

Ky raport, shfaqte akuza të drejtpërdrejta për ish-presidentin kosovar, Hashim Thaçi. Kujtojmë se Thaçi prej nëntorit 2020, gjendet në Hagë, pasi iu konfirmuan aktakuzat nga Gjykata Speciale. Kjo thirrje e tij, është sigurisht edhe pas efekt i raportit të Marty-t.

Duhet theksuar gjithsesi, se çdo akuzë në raport, nuk është provuar asnjëherë. Ndër më kryesoret, është ajo e Shtëpisë së Verdhë, një banesë ku mendohet se janë kryer transplante organesh.

Asnjëherë nuk është pranuar asnjë akuzë për këtë çështje. Madje, ajo thuajse ishte fshirë tërësisht nga kujtesa kolektive. Por një detaj i dalë nga një masakër në Krushë, solli çështjen sërish në vëmendje.

Milaim Bellanica, një banor i mbijetuar i fshatit, hodhi akuza mbi kreun e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha. Pretendohej nëpërmjet tyre, se Basha kishte gisht në proceset që serbët kishin mbajtur ndaj shqiptarëve.

Kjo gjë ngriti sërish akuzat e ndërsjella midis palëve në Shqipëri. Me katër përfaqësues të elitës politike kosovare në Hagë, sytë u kthyen nga shqiptarët.

Në vitin 2011, pati një përpjekje shqiptare për investigim të këtij raporti. Kjo, pas miratimit të tij nga Këshilli i Evropës. Gjithsesi, Kuvendi nuk ndërmori asnjë hap të mëtejshëm.

Nëntë vite më vonë, kërkesa rikthehet në Kuvend, këtë herë për t’u konkretizuar. Me depozitimin e materialeve, pritet të dalin çështjet e para nga hetimi.

Potencialisht, ky komision mund të jetë më i rëndësishmi në vitet e fundit në Shqipëri, nëse figura politike inkriminohen me çështjen e krimeve ndaj njerëzimit gjatë luftës së Kosovës.

Mbetet për t’u parë vullneti i palëve për transparencë dhe përgjegjësi. Mbi të gjitha, në një komision ku partia e dytë më e madhe në vend, ajo Demokratike, nuk është e pranishme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore