Lajme

Departamenti Amerikan uron Kosovën me njohjen si “qëllim eventual”


Ilustrim

Departamenti Amerikan i shtetit, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka përgëzuar popullin e Kosovës në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Departamenti Amerikan ka deklaruar se gjatë këtij viti SHBA-të dhe Kosova kanë riafirmuar partneritetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane.

“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm sidomos për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në këtë komunikatë për media.

Kosova është një nga vendet më të reja në botë, sipas DASH-it, prandaj me të drejtë qytetarët e saj janë krenar për progresin që ka bërë Kosovës në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për gjithë kosovarët.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të afganëve të zhvendosur nga Kosova, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj”.

Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes kësaj komunikate është deklaruar edhe për nevojën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa në letrën që mban datën 17 shkurt 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit ri-përsëriste mbështetjen për procesin e dialogut dhe shkruante se qëllimi i SHBA-ve në bisedime mes Kosovës dhe Serbisë është “njohja reciproke” në letrën e këtij përvjetori DASH-i përmend “njohjen reciproke”, por thotë se ajo “është qëllim eventual”.

“Ne presim që Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mënyrë për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhej në komunikatën për media e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit një vit më parë.

“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë”, shkruhet në komunikatën për media të datës 17 shkurt 2023.

Ndër të tjera, Departamenti Amerikan në këtë letër urimi është edhe për propozimin franko-gjerman, të cilën e ka cilësuar si “marrëveshje të propozuar së fundmi në kuadër të dialogut”.

“E ka mbështetjen tonë të fortë dhe [marrëveshja] do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian e euroatlantik”.

Edhe në letrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në vigjiljen e kremtimit ë 15-vjetori të pavarësisë së Kosovës, njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë përmendet, por ajo “është qëllim eventual”, ndryshe nga një vit më parë i cili sipas Biden ishte qëllimi kryesor i dialogut.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqëndruar në njohjen reciproke”, shkruante presidenti Biden një vit më parë.

“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin me qëllimin eventual të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Biden në letrën, i cili mban datën 16 shkurt 2023.

Edhe letra e Biden për Osmanin ndryshoi, nga “njohja reciproke në qendër” prapa në “është qëllim eventual”

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore