Lajme

Departamenti amerikan pret përparim dhe zbatim të marrëveshjeve, kompromisi në dialog s’është shenjë dobësie


Departamenti Amerikan i Shtetit

Për Departamentin e Shtetit Amerikan, prioriteti absolut është arritja e një suksesi në dialogun e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu të paktën ka bërë të ditur zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, i cili ka potencuar faktin se për SHBA-të është kënaqësi kur liderët shtetëror të Kosovës dhe Serbisë pranojnë të takohen në Bruksel në kuadër të bisedimeve.

“Ne e mbështesim plotësisht dialogun. Për ne është e rëndësishme fakti se të dy palët po e përdorin këtë mundësi për të çuar përpara bisedimet për normalizim të marrëdhënieve, ne dëshirojmë të shohim përparim dhe zbatimin e marrëveshjeve”.

Ned Price

Dialogu dhe kompromisi, thotë Price, nuk janë shenja dobësie, por janë thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje, e cila është thelbësore si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë kur bëhet fjalë për aspiratat e tyre drejtë BE-së.

“Shpresojmë që liderët në Kosovë dhe Serbi kuptojnë rëndësinë e ecjes përpara, e jo prapa. SHBA-të nuk po marrin pjesë në dialog, por suksesi i këtyre bisedimeve është prioriteti absolut”.

Në takimin e radhës, të akorduar me 18 gusht (fiks një muaj pas datës origjinale të takimit) në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, përveç të dërguarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ky takim vjen pas tensioneve të së dielës mbrëma, kur Kosova provoi të aplikoi reciprocitet me Serbinë sa u përket targave dhe hyrje/daljeve të shtetasve serbë, por që u tërhoq me kërkesë të ndërkombëtarëve, duke pranuar propozimin e Borell për një muaj shtyrje të vendimit.

Takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiç-it kishte ndodhur në darkën jo formale me 5 maj në Berlin dhe ishte bërë i ditur për media përmes një fotografie, ku bashkë me Lajçak kishin darkuar në një rezidencë shtetërore të Gjermanisë.

Takimi pati ndodhur pasi paraprakisht Kurti e Vuçiç, veç e veç, ishin takuar me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Darka ishte një mundësi për dy liderët për të shkëmbyer pikëpamje rreth Dialogut në një mjedis joformal”, pati thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano për Albanian Post, pyetur rreth përmbajtjes së takimit të mbajtur në Berlin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore