Lajme

Departamenti amerikan i Drejtësisë merr urdhër për të kontrolluar telefonin e avokatit të Trump-it


Departamenti amerikan i drejtësisë ka marrë një urdhër për të kontrolluar telefonin e avokatit zgjedhor të Donald Trump, John Eastman.

Ky i fundit ka folur në një tubim përpara sulmit të 6 janarit në Capitol të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në qershor, agjentët federalë e sekuestruan telefonin e Eastman bazuar në një urdhër që i autorizonte ata të merrnin pajisjen. Por kishin nevojë për një urdhër të dytë për të kërkuar përmbajtjen e telefonit.

Në një dosje në gjykatën e New Mexico-s, ndihmësi i avokatit amerikan Thomas Windom ka thënë se gjykata për Distriktin e Kolumbisë ka lëshuar një urdhër kërkimi më 12 korrik.

Një urdhër që autorizonte rishikimin e përmbajtjes së telefonit dhe kapjen manuale të ekranit.

Sipas tij, agjentët federalë në Virginia-n veriore kishin telefonin dhe pamjet e ekranit të disa prej përmbajtjeve të tij.

Eastman ka qenë nën një vëzhgim intensiv në hetimet për sulmin në Capitol nga mbështetësit e Trump-it.

E gjitha pasi ish-presidenti ka pretenduar në mënyrë të rreme se ai kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020. Eastman foli në tubimin ku Trump mbajti një fjalim të zjarrtë duke pretenduar mashtrime zgjedhore dhe duke u kërkuar mbështetësve të marshojnë në Capitol.

Regjistrimi i urdhrit është bërë në New Mexico pasi Eastman kishte ngritur më parë një padi atje duke kërkuar nga një gjykatës të urdhëronte departamentin e drejtësisë të kthente telefonin.

Këtë për të fshirë të dhënat dhe për të bllokuar hetuesit që të hynin në telefon.

Gjykatësi e ka mohuar atë kërkesë, por ka urdhëruar qeverinë të përditësojë gjykatën për vendndodhjen e telefonit dhe statusin e një urdhri të dytë kontrolli.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore