Lajme

Dënoni Trump, ose Capitoli do të bastiset sërish


Ka vetëm një parrullë në fund të argumenteve të prezantuara nga demokratët, për shkarkimin e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump: “Ai mund ta bëjë sërish këtë gjë”.

Prokurorët e procesit, kanë përdorur pamjet filmike të bastisjes së Capitol-it, si provën më të fortë kundër Trump-it. Ata gjithashtu paraqitën dëshmi nga policët dhe stafi, mbi ngjarjet e ndodhura në 6 janar.

Nxitja e protestuesve, mbetet akuza më e fortë ndaj ish-presidentit. Mitingu që u zhvillua përpara godinës historike amerikane, ishte shkëndija që ndezi turmën e protestuesve, sipas senatorëve demokratë.

Nga ana tjetër, avokatët e Trump-it kanë argumentuar se ish-presidenti, thjeshtë po ushtronte të drejtën e tij të fjalës së lirë.

Thirrjet e tij ishin kryesisht akuza për vjedhjen e zgjedhjeve dhe shkeljen e kushtetutës.

Në pamjet e shfaqura nga filmimet e kamerave të sigurisë ndërkohë, bie në sy vërshimi i protestuesve brenda Capitol-it. Senatorët shfaqeshin në video duke u fshehur nga protestuesit ose duke u përcjellë nga shërbimet sekrete në vendet e sigurta.

Pala mbrojtëse, do të shfaqë argumentet e saj të premten e 12 shkurtit. Për shkak të festës së Sabathit hebre, pritet që seanca të pezullohet të premten pasdite, për të rinisur të dielën në mëngjes.

Gjasat për shkarkimin e Trump-it janë të vogla. Duhen 17 vota republikanësh për të plotësuar kuotën e dy të tretave të Senatit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore