Lajme

Dënohet me 10 vite burg ish-gjenerali boshnjak


Një ish gjeneral i ushtrisë boshnjake është dënuar me 10 vite burg. Mbi të rendojnë akuzat për mosveprim ndaj vrasjeve dhe torturave të kryera nga luftëtarët e huaj.

Sakib Mahmuljin, u konsiderua përgjegjës të premten për vdekjen e më shumë se 50 të burgosurve serbë në Vozuca dhe Zavidovici.

Anëtarët e “El Mujahid” një njësie famëkeqe e luftëtarëve kryesisht nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme, janë përgjegjësit kryesorë sipas mediave vendase.

“Mahmuljin dështoi të parandalojë krimet dhe trajtimin çnjerëzor. Ai nuk veproi që autorët e këtyre krimeve të ndëshkohen”, tha gjykata e Sarajevës në një deklaratë.

Krimet e kryera nën drejtimin e tij përfshijnë tortura të disa civilëve, të plagosurve dhe robërve të luftës. Avokatët e mbrojtjes së Mahmuljin, argumentuan gjatë gjykimit se ai “nuk kishte kontroll efektiv mbi njësinë”.

Në një deklaratë për mediat avokati i tij u shpreh se, “ Gjykata nuk ka gjetur akoma fajtorët e vërtetë të krimeve”.

Më shumë se 100 mijë njerëz vdiqën në luftën  e ndodhur gjatë viteve 1992-1995.

Serbia dhe Kroacia u përpoqën të ndanin Bosnjën dhe Hercegovinën përkatësisht në një Serbi të Madhe dhe një Kroaci të Madhe.

Shumica e luftëtarëve të huaj që u bashkuan me konfliktin e Bosnjës u larguan pasi lufta përfundoi me një marrëveshje paqeje, të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në 1995.

Bosnja mbetet e ndarë etnikisht pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për pajtim./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore