Lajme

Dënohet ish-kreu i bankës së Vatikanit


Ish-kreu i bankës së Vatikanit, Angelo Caloia, është shpallur fajtor për përvetësim dhe pastrim parash. Ai është dënuar me tetë vite e 11 muaj burg.

Në këtë mënyrë ai bëhet zyrtari më i lartë i Vatikanit i dënuar për një krim financiar.

Caloia ishte president i bankës së njohur si Instituti i Punëve të Fesë (IOR), nga 1999-ta deri në 2009-ën. Ai bashkë me dy avokatët e bankës u akuzuan për përvetësim parash ndërsa administronin shitjen e pasurive të patundshme italiane në pronësi të IOR-it  midis 2001-2008.

IOR, themeluar gati 80 vjet më parë, ka qenë e përfshirë në një listë të gjatë skandalesh politike dhe financiare. Kështu duke fituar një reputacion si një parajsë pastrimi parash për politikanët italianë dhe grupet mafioze.

“Të pandehurit grabitën paratë e paguara nga blerësit e pronave, që i përkisnin IOR-së “, tha Vatikani në një deklaratë.

Prokurorët pretenduan se fitimet e paligjshme ishin me vlerë 59 milionë euro në total. Por gjykatësit nuk gjetën prova të tjera për disa nga 29 marrëveshjet e vëzhguara.

Gjykata urdhëroi sekuestrimin e rreth 38 milionë eurove në llogaritë bankare të të pandehurve.

Sipas  rrjetit televiziv, Al Jazeera , të pandehurit  janë munduar të ruajnë  pafajësinë e tyre.

Ata kanë kërkuar që të thërriten si dëshmitarë ish-sekretarët e shtetit të Vatikanit dhe kardinalët. Ata bënin pjesë në komitetin e mbikëqyrjes së bankës. Sipas tyre kardinalët ishin në dijeni të shitjeve dhe i miratuan ato.

Mediat italiane bëjnë me dije se nuk dihet se si do të kryhen dënimet për të arrestuarit, duke pasur parasysh moshat e tyre.

Procesi kundër Cecilia Marogna

Skandalet për Vatikanin nuk mbyllen vetëm me këtë gjyq.  Në fillim të kësaj jave ata njoftuan fillimin e menjëhershëm të një procesi kundër Cecilia Marogna-s.

Marogna, është akuzuar për shpërdorim të fondeve të Vatikanit. Ajo e bënte këtë përmes kompanisë së saj të regjistruar në Slloveni në 2018 dhe 2019.

Ajo ishte e punësuar nga Angelo Becciu. Ai u akuzua nga Papa për shpërdorim të fondeve nga Vatikani./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore