Lajme

Dënohen aktivistët në Hong Kong për organizimin e “vigjiljes së ndaluar”


Tetë aktivistë në Hong Kong janë dënuar deri në 14 muaj burg me akuzën “për organizimin dhe nxitjen e pjesëmarrjes në një vigjilje të ndaluar në përkujtimin e viktimave të goditjes së Sheshit Tiananmen të Kinës”.

Gjykatësja Amanda Woodcock tha se të pandehurit “injoruan dhe nënçmuan një krizë të vërtetë të shëndetit publik”.

Po ashtu, ata “besuan gabimisht dhe me arrogancë” në përkujtimin e 4 qershorit në Parkun Victoria të Hong Kongut, në vend që të mbronin shëndetin e komunitetit.

Pronari i gazetës “Apple Daily”, Jimmy Lai, 74 vjeç; avokati Chow Hang Tung, 36 vjeç dhe aktivistja Gwyneth Ho, 31 vjeç, u dënuan përkatësisht me 13, 12 dhe 6 muaj.

Ata u shpallën fajtorë nga gjykata të enjten e kaluar.

“Nëse përkujtimi i atyre që vdiqën për shkak të padrejtësisë është krim, atëherë le të vuaj dënimin e këtij krimi. Kështu do të ndaj barrën dhe lavdinë e atyre të rinjve dhe të rejave që derdhën gjakun më 4 qershor për të shpallur të vërtetën, drejtësinë dhe mirësinë”, shkruan Lai në një letër gjatë paraburgimit.

Udhëheqësi i organizimit së “vigjiljes së ndaluar”, Lee Cheuk-yan, bashkë me pesë aktivistë të tjerë, e kanë pranuar fajin. Ata u dënuan me 4 deri në 14 muaj heqje lirie.

“Nëse ka pasur një provokator, është regjimi ai që ka qëlluar kundër popullit të vet”, deklaroi para gjykatës më 17 nëntor Lee.

“Nëse më duhet të shkoj në burg për të pohuar vullnetin tim, atëherë qoftë kështu”, përfundoi ai.

Shumë të pandehur tashmë janë duke vuajtur dënimin me burg dhe dënimet e tyre të reja ekzekutohen njëkohësisht, që do të thotë se shumica do të kenë vetëm disa javë ose muaj shtesë.

Aktivistët, si Lai, Ho, Chow dhe Lee gjithashtu përballen me ndjekje penale të veçanta të sigurisë kombëtare, gjë që mund të çojnë në burgim të përjetshëm.

Gjashtëmbëdhjetë aktivistë të tjerë tashmë janë duke vuajtur dënimet prej 4-10 muajsh në lidhje me “vigjiljen e ndaluar”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore