Sport

Dennis Schroder largohet nga Lakers, bashkohet me Celtics


Dennis Schroder ka zyrtarizuar, përmes rrjetit social Instagram, largimin nga LA Lakers. Ai ka bërë me dije se do të bashkohet me Boston Celtics.

Schroder është emri i fundit në listën e gjatë të basketbollistëve që po largohen nga “Staples Center”.

Kjo vjen si pasojë e nënshkrimeve të mëdha që Lakers po bën në këtë fillim të afatit kalimtar.

Schroder do t’u bashkohet rivalëve të Lakers, Boston Celtics.

Sipas ESPN, marrëveshja do të jetë vetëm njëvjeçare, me një pagë prej 5.9 milionë dollarësh në vit.

Gjermani shpresonte në një kontratë të madhe, saqë refuzoi një rinovim me vlerë prej 80 milionë eurove nga Lakers në sezonin e rregullt.

Pas largimit të Kemba Walker, Celtics mbeti pa playmaker, rol ky Schroder shpreson ta mbulojë më së miri.

“Jam i lumtur që në sezonin 2021/22, do të luaj për Boston Celtics”, shkroi Dennis në Instagram.

“Kjo është ndër skuadrat më të mira në histori të NBA”, vazhdoi ai, “për mua do të jetë krenari të vesh fanellën bardh e jeshile dhe të bëj atë të cilën dua”.

Përveç Schroder, nga Lakers janë larguar edhe Alex Caruso, Kyle Kuzma, Kentavious Caldwell-Pope dhe Montrezl Harrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore