Lajme

Dënimet ndaj zyrtarëve të lartë po konsiderohen qesharake


Ilustrim

Sistemi i drejtësisë në Kosovë po konsiderohet se ka dështuar sa i përket shqiptimit të dënimeve për zyrtarët e lartë publikë, të akuzuar për krim e korrupsion. Madje njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se gjykatat në këso raste po shqiptojnë dënime “qesharake”.

Sipas Ylli Zekajt, dënimt ndaj zyrtarëve të larë janë pothuajse të njëjta me ato për kundërvajtje.

“Zakonisht kur kemi të bëjmë me profilin e lartë të zyrtarëve publik, kemi edhe dështim të sistemit juridik, kemi dështim të Prokurorisë për të bërë hetime të mirëfillta, kemi pastaj edhe dështim të gjykatës për t’i dështuar këto raste dhe nëse arrijmë të bëhen aktgjykime të plotfuqishme që rrallë ndodh kemi edhe dënime qesharake, përkatësisht dënime me gjobë dhe dënime me kusht”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Për Zekajn Gjykata Supreme ka një shkallë më të mirë të performancës marrë për bazë numrin e vogël të rasteve me të cilat përballet, e ndërsa Gjykata Themelor e ajo e Apelit janë më joefikas për shkak se në këto gjykata proceset gjyqësore mund të zgjasin deri në 10 vjet.

Edhe avokati Kushtrim Hodaj, ka thënë se Gjykata e Apelit dhe Supremja marrin vendime më shpejtë krahasuar me Themeloren, teksa ka shtuar se Themelores i duhen në disa raste edhe 10 vjet në trajtimin e një rasti dhe nuk është shumë efektive.

“Apeli dhe Supremja vendosin në shkallë më të shpejtë sepse ato janë dyshkallshmëri dhe trishkallshmëri e kanë më lehtë, Themelorja merr kohë shumë më shumë, nuk është shumë efektive, po kur flasim për Themeloren ka disa departamente, ka departament civil kontestimor që lëndët zgjasin 5, vite, 6 vite me një shkallë apo 10 vite. Ka raste departamenti fiskal apo komercial që vendosin brenda 5, 6 muajve për një rast dhe është diskrepancë e madhe mes vendosjes së kohës dhe në kuadër të Gjykatës Themelore “, ka sqaruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore