Shqipëria

Denaj në Këshillin e Investimeve: Implementimi i teknologjisë në sektorin e turizmit


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj, në takimin e Këshillit të Investimeve tha se “qeveria do të përfshijë më tepër implementimin e teknologjisë në sektorin e turizmit”.

Të hënën e 21 qershorit, ajo e vuri theksin te nxitja e investimeve, sidomos për bizneset turistike dhe mbështetjen e tyre me trajnime të shumta, drejt një “organizimi më efikas”.

“Gjatë periudhës së pandemisë kemi mësuar të transformojmë burimet aktuale dhe të gjejmë burime të reja për të transformuar biznesin. Një gjë kemi mësuar, teknologjia është dhe do të jetë një motor që do të na rrisë vlerën përmes eficencës”, u shpreh ajo.

Denaj bëri me dije se, gjatë mbledhjes, “do të diskutojmë mbi rritjen e vlerave të produktit ‘made in Albania’”.

Çfarë është Këshilli i Investimeve?

Në mbledhjen e Këshillit të Investimeve, të vitit 2020 të mbajtur në Tiranë, është vënë theksi mbi adresimin e çështjeve të punës, apo arsimit profesional.

Sipas Denajt, Këshilli Konsultativ i Punësimit dhe Këshilli Kombëtar i Punës “janë tryeza të mira diskutimi që do të ofrojnë edhe në vazhdim qasjen e sektorit privat në politikëbërje”.

Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare, me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Këshilli i Investimeve ka në përbërjen e tij përfaqësues të lartë të qeverisë, përfaqësues nga shoqatat e biznesit dhe agjencitë shumëpalëshe.

Puna e Këshillit mbështetet nga Sekretariati, një organ i pavarur me profesionistë të përzgjedhur dhe kontraktuar nga BERZH për t’u angazhuar drejtpërsëdrejti me komunitetin e biznesit. Sekretariati ofron mbështetje organizative, analitike dhe profesionale për anëtarët e Këshillit të Investimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore