Sport

Dëmtimi, rikuperimi i Brojës do të zgjasë 7 muaj


Sulmuesi kuqezi, Armando Broja, ka pësuar në dëmtim në gju para tre ditësh dhe do të duhet të humbasë pjesën e mbetur të sezonit.

Bomberi i Shqipërisë u lëndua në ndeshjen miqësore që Chelsea po zhvillonte ndaj Aston Villa-s në Abu Dhabi.

Broja e nisi këtë lojë nga fillimi, ku partner në sulm pati Pierre-Emerick Aubameyang, por mbeti në tokë pas një përplasjeje me Ezri Konsa.

Sulmuesi i është nënshtruar operacionit këtë të mërkurë dhe ai do të mungojë për 6-7 muaj, që është koha normale e rikuperimit nga një dëmtim i tillë.

“I shkatërruar që po e mbyll vitin 2022 në këtë mënyrë”, thote Broja duke konfirmuar operacionin e nevojshëm pas dëmtimit.

Gjithashtu edhe Chelsea kishte lëshuar një deklaratë për Brojën, ku theksonte shkallën e rëndë të dëmtimit dhe humbjen e sezonit për të.

“Pasi pësoi një dëmtim në gju gjatë pjesës së parë të miqësores së së dielës kundër Aston Villa, Armando iu nënshtrua një vlerësimi të mëtejshëm pas kthimit të klubit në Angli”, thuhet në njofitimin e klubit londinez.

“Rezultatet e skanimit nga ato vlerësime kanë konfirmuar për fat të keq një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe se do të kërkohet kirurgji”.

“Pas operacionit, Armando do të punojë ngushtë me departamentin mjekësor të klubit gjatë rehabilitimit të tij dhe pritet të humbasë pjesën e mbetur të sezonit 2022/23”, vijoi njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore