Shqipëria

Demokrati deri në frymën e fundit, Nishani mori 20 vota për Kryesi në kohën që u nda nga jeta


Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u nda nga jeta mesditën e 28 majit pas një lufte të gjatë me një sëmundje kronike dhe përkeqësimit të shëndetit të tij muajt e fundit, për shkak të komplikimeve që i shkaktoi virusi COVID-19.

Deri në frymën e fundit gjithsesi, ai jo vetëm mbeti demokrat në parime, por mori edhe vota për anëtar të Kryesisë së Partisë Demokratike, në çastet e fundit të jetës.

Sipas tabelës paraprake të të dhënave, Nishani ka marrë 20 votëbesime nga votat e Këshillit Kombëtar demokrat për anëtarë të Kryesisë.

Në fakt Nishani nuk u shkëput kurrë nga angazhimi i tij partiak pasi la funksionin e Kreut të Shtetit.

Ai, pati angazhim publik, mbi të gjitha në çastet e vështira të vitit të fundit, kur PD-ja u gjend në krizë të thellë politike dhe duhet të ndryshonte rrënjësisht.

“Zhvillimet politike në Partinë Demokratike që pas 25 prillit të 2021 kanë pasur një dinamikë politike të jashtëzakonëshme”, shkruante Nishani, në një ndër postimet e tij të fundit. “I gjithë debati publik, vëmendja e opinionit, media, madje dhe bisedat e kafeneve mbeten të fokusuara tek Partia Demokratike dhe zhvillimet në të”.

Në nder të ish-presidentit, u mbajt në çastin kur lajmi u mor vesh edhe një minutë heshtje, nga anëtarët e Partisë Demokratike të pranishëm në votime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore