Lajme

Delegacioni shqiptar në OKB: Mosndëshkimi për krimet e kryera në Kosovë nuk duhet të tolerohet


Delegacioni shqiptar në Kombet e Bashkuara ka përsëritur thirrjet për mostolerim ndaj mungesës së ndëshkimit për krimet e “tmerrshme” të kryera në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kudo.

Kjo, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Shqipëria rinovon thirrjen për më shumë dhe përpjekje të qëndrueshme për të çrrënjosur dhunën seksuale të lidhur me konfliktin. Mosndëshkimi për krime të tilla të tmerrshme të kryera në Kosovë, BiH dhe kudo nuk duhet të tolerohet kurrë”, shkruan delegacioni shqiptar në Twitter.

Kujtojmë që prej 1 qershorit, Shqipëria kryeson Presidencën e Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së.

Shqipëria do të jetë në krye të këtij organi ndërkombëtar deri më 1 korrik.

Një prej fushatave të saj, të nismëtuara edhe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është “llogaridhënia”.

Misioni shqiptar do të bëjë thirrje për veprim dhe marrje të përgjegjësisë.

Krijimi i mekanizmave efektivë të llogaridhënies kërkon, që në fillim, pjesëmarrje dhe përfshirje të gjerë të të gjithë aktorëve.

Zërat

Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha do të theksonte gjatë muajit prill se zërat e 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë duhet të dëgjohen.

Kjo deklaratë erdhi gjatë fjalës së diplomatit shqiptar në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit për dhunën seksuale gjatë konflikteve, shkruan Albanian Post.

Hoxha sqaroi fillimisht se vjen nga një rajon i cili në një të kaluar jo shumë të largët, ka qenë stadi i konflikteve të mëdha dhe vuajtjeve njerëzore.

“Ne kemi qenë dëshmitarë se si dhuna seksuale është përdorur si taktikë lufte kundër civilëve”, vërejti ambasadori shqiptar.

Duke folur më tej, Hoxha ravijëzoi se dhuna seksuale ishte një armë e neveritshme e luftës, një instrument për të poshtëruar, e përdorur gjerësisht në konfliktin në Kosovë në vitet 1998-1999.

Sipas tij, ky krim i tmerrshëm ka lënë një gjurmë të thellë tek të mbijetuarit dhe shoqëria.

Madje, ambasadori shqiptar nuk la pa përmendur faktin që krimet seksuale të lidhura me konfliktin e kryera në Kosovë, “për fat të keq nuk janë përfshirë kurrë në raportin e SG-së (Sekretarit të Përgjithshëm)”.

Në vijim të fjalës së tij, Hoxha lavdëroi “UN Women” për punën në ndihmën dhe trajnimin e autoriteteve të Kosovës për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar rastet e lidhura me dhunën seksuale gjatë konfliktit.

“Zërat e më shumë se 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë duhet të dëgjohen. Zërat e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale në mbarë botën duhet të dëgjohen”, deklaroi në përmbyllje diplomati.

Në fund të fjalës së tij, Hoxha bëri thirrje që asnjë autor nuk duhet të mbetet i pandëshkuar, përcjell Albanian Post.

“As në Ukrainë, as në Yemen, as në Afganistan, as në Siri, as në Kosovë, askund”, shtoi ambasadori shqiptar.

Shqipëria për Kosovën

Hoxha do të sillte në vëmendjen e punimeve të Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së gjatë muajit mars sërish “spastrimin masiv etnik të Kosovës”.

“Mizoria shkakton dëme dhe dhimbje të patreguara, por ajo kurrë nuk mbizotëron. Kjo nuk ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore; nuk ndodhi gjatë 3 viteve të gjata të rrethimit të Sarajevës dhe gjatë gjenocidit në Srebrenicë, nuk ndodhi as gjatë masakrave të tmerrshme dhe spastrimit masiv etnik në Kosovë”, theksonte ambasadori shqiptar.

Diplomati do të vijonte “premtimin” e dhënë nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila e konsideroi më herët Kosovën si “një kauzë të shenjtë”.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka

“Tiranës zyrtare do t’i jepet mundësia të lobojë më shumë për njohjen e Prishtinës ndërkombëtarisht”, ishte premtimi i saj.

Në deklaratën e parë si përfaqësuese e Shqipërisë në KS më 18 janar, Xhaçka kujtoi dhimbjet dhe vuajtjet e grave në Kosovë gjatë luftës.

“E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura”, ravijëzonte kryediplomatja shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore