Lajme

Delegacioni serb në UNESCO: Serbia nuk do t’ia kthejë Kosovës artefaktet


Muzeu i Kosovës

Delegacioni i Serbisë në UNESCO përmes një postimi në Twitter, kanë shkruar se “Serbia nuk do t’ia kthejë Kosovës artefaktet që gjenden në kryeqytetin serb në Beograd”, një ditë pasi Muzeu Kombëtar i Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Ministria e Punëve të Jashtme i kanë nisur dy shkresa Serbisë nëpërmjet të cilave kërkohet kthimi i artefakteve.

“Serbia është një anëtare dhe një shtet nënshkruese e Konventës 1970 të UNESCO-s. Ajo ruan dhe mbron pasurinë kulturore në përputhje të plotë me këtë konventë në territorin e saj, duke përfshirë provincën e saj jugore të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet tutje në reagimin e palës serbe.

“Kush janë këta njerëz. E ashtuquajtura Kosovë nuk është as shtet dhe as anëtare e UNESCO-s, e as nuk është nënshkruese e konventës së asaj organizate”.

Në letrën drejtuar Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247. Ato duhet të kthehen sa me parë në vendin e tyre të origjinës.

Po ashtu pala kosovare me anë të letrës e argumenton detyrimin e Serbisë dhe institucioneve përkatëse për kthimin e këtij koleksioni bazuar në marrëveshjet e nënshkruara që parashohin ekspozimin e përkohshëm në Beograd dhe kthimin e tij, konventën e UNESCO-s për kthimin e pasurisë kulturore në vendin e origjinës, dhe pakon e Ahtisaarit që obligon Serbinë të kthej në Kosovë koleksionin në fjalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore